Një film i përsëritur në kërkim të viktimave!

11 Maj 2019, 23:50| Përditesimi: 11 Maj 2019, 23:51

  • Share

Ajo që pritej të ishte protestë e madhe, ishte më e vogël se çdo herë tjetër. Është e natyrshme pas katër dështimesh dhe deklaratash euforike për rrëzimin e qeverisë, që protesta të rrudhej dhe në rrugë të mbeten vetëm fanatikët.

Dhuna që pritej, ishte më e madhe se herët e tjera. Ishte më cilësore dhe më sasiore. U hodhën qindra bomba molotov dhe kapsolla, ju vu flaka dyerve të institucioneve dhe u lënduan rreth 15 policë. Por dhe ky ishte një objektiv që pritej.

Rituali i protestës ishte po i njëjtë. Pasi u sulmua Kryeministria, dhuna u zhvendos tek Parlamenti. Skenat e gazit lotësjellës dhe molotovit, u përsëritën dhe ndryshimi qëndron vetëm tek numri i të plagosurve.

Reagimi ndërkombëtar ishte po njësoj. Ambasada e SHBA, BE, Britanisë Madhe etj., dënuan ashpër dhunën dhe i bënë thirrje krerëve të opozitës që të merrnin kontrollin mbi turmat, dhe të vendosnin qetësinë.

Reagimi i qeverisë po njësoj. Edi Rama, që tallet me zërin e Lulit dhe Erjon Veliaj që shqetësohet për qytetin dhe shkatërrimin e tij.

Reagimi i shtypit po njësoj, me pak ankesa më shumë. Gazetarët e terrenit që raportojnë torturohen mes gazit lotësjellës dhe dhunës së protestuesve, siç i ndodhi një ekipi të “ABC”.

Reagimi i qytetarëve është po njësoj. Shumica kundër dhunës, të tjerë pro saj, pa llogaritur Arben Malajn, që është i shqetësuar për cilësinë e gazit lotësjellës dhe jo për cilësinë e bombave molotov.

Dhe në fund të protestës, ne duhet të dëgjojmë sërish himnin e Flamurit nga Lulzim Basha, që nuk dihet se kujt i betohet dhe përse, dhe të dëgjojmë se Edi Rama do rrëzohet në mes të qershorit në protestën e radhës.

Ky është një talent i veçantë për ta bërë të mërzitshëm “revolucionin” dhe të gjitha seritë e filmit njësoj, me shpresë se do ketë ndonjë vdekje rrugës.

Por ajo akoma nuk po duket, dhe deri atëhere do vazhdojmë të shikojmë këtë film mediokër, në pritje të shpresës së Berishës, që dikush të vdesë për të.

Por deri tani, e vetmja viktimë e këtij revolucioni është shpresa tek opozita.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?