Brenda ambienteve të SPAK

Një foto nga SPAK, që flet më shumë se çdo fjalë!

29 Shtator 2023, 12:08| Përditesimi: 29 Shtator 2023, 18:54

  • Share

Shihni me kujdes këtë foto. Nuk është as rastësore, as e publikuar nga SPAK.

Ai përballë është i ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner, i cili kryen detyrimet e institucionit në mungesë të titullarit, tjetri është Altin Dumani, me të njëjtin kostum në çdo dalje publike dhe në një zyrë plot me dosje të përhapura në të gjithë anët.

Mesazhi është i qartë: Ne jemi këtu për t'ju mbështetur, SPAK-u nuk është i politikanëve tuaj, por i yni, dhe ai është në punë me kohë të plotë, ashtu sikurse jemi edhe ne, sulmi ndaj prokurorisë së posaçme është sulm i drejtpërdrejtë ndaj nesh.

Kjo vizitë vjen pas deklaratës së Ambasadës se SHBA nuk kanë ndryshuar qëndrim ndaj "non gratës" dhe thirrjes për të pasur kujdes ata që bashkëpunojnë me personat e shpallur.

Foto është atipike, sepse asnjë drejtues institucioni nuk do donte ta nxirrte atë rrëmujë në sytë e medias dhe të publikut.

Njëkohësisht është një foto që "rrëmuja" e saj flet më shumë se sa çdo fjalë dhe çdo rregull. Dosjet janë në tavolinë, në tokë, në dollape, në sirtare, gjithandej, dhe janë nxjerr nga pluhuri i harresës. Nuk flihet mbi to, por punohet me to.

Tashmë kemi një drejtues të Prokurorisë që nuk e kemi parë më parë, që nuk kujdeset për kurimin e imazhit dhe formalitetin e institucionit, që nuk jep deklarata të drunjta dhe pompoze se në 'shtator do të ketë arrestime', që nuk qahet te politika për çështjet që ka në hetim, që bashkëbisedon me gazetarët, duke u dhënë informacione aq sa ia lejon etika dhe ruajtja e hetimit, që e ka bërë të qartë se 'nuk ka asnjë politikan që mund t'i bjerë telefonit të tij', madje që me natyrën dhe imazhin e vet ka lënë shumë pa gjumë në Tiranë dhe gjetkë.

Askush nuk e di sot se çfarë është duke tjerr Altin Dumani dhe vartësit e tij brenda mureve të atij institucioni, gjë e rrallë kjo, duke pasur parasysh modelet e kaluara.

SPAK- edhe mund të dështojë dhe të mos qullosë asgjë, por dështimi i tij është lajm shumë i keq për të gjithë shoqërinë shqiptare, ndaj ai duhet mbështetur, drejtuesit dhe prokurorët e tij duhen inkurajuar dhe e gjithë shoqëria jonë duhet të jetë në krah të tyre kundër korrupsionit në nivelet e larta shtetërore dhe krimit të organizuar që vepron dhe që është një rrezik potencial për të gjithë ne.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gazepi: 30/09/2023 03:44

    Lerini fotot por filloni te dusni ne burg ed ramwn lir meten sali berishen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?