TIRANË- Prej afro 3 dekadash, Dhurata Myrtollari ka dhënë kontributin e saj në arsimin publik dhe është përpjekur të jetë një model frymëzimi për brezat.
Për emisionin “Një nga ne”, mësuesja e lëndës së gjuhës shqipe në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” na tregon si është përditshmëria e saj në Tiranë.
Teksa bëhet gati për të nisur orën e mësimit, Dhurata na thotë sesi ka ndryshuar roli i mësuesit sot.
“Sfida më e madhe e mësuesit është përditësimi i njohurive. Mësuesi nuk është më lider i informacionit. Me revolucionin teknologjik, nxënësit marrin informacione kudo. Detyra jonë është që ne të kthejmë pasionet dhe dëshirat e tyre për të realizuar programin mësimor, për të arritur rezultate sa më të mira në mësime. Është gjithnjë e qartë në shpjegim, arrin të kuptojë nevojat e nxënësve dhe herë pas here gjen metoda që t’i përfshije të gjithë në procesin mësimor. Nxënësit nuk mësojnë asnjëherë njësoj. Secili ka stilin e vet individual të mësuarit. E rëndësishme është që mësuesi të arrijë qëllimin e orës së mësimit. Organizimi I orës së mësimit është në një mënyrë të tillë që edhe nxënësi i nivelit të dobët dhe ai i 10-s të ketë se çfarë të bëjë, të jetë i përfshirë, të mos kemi atë braktisjen e heshtur. Në këtë mënyrë ora e mësimit shkrihet natyrshëm dhe secili mëson diçka sipas nivelit të tij”, shprehet Dhurata.
Po si kanë ndryshuar brezat ndër vite dhe cila është arsyeja që nuk po preferohen degët e mësuesisë?
Çfarë do të thotë të jesh një mësues në ditët e sotme, sfidat me të cilat përballen dhe aktiviteti interesant me nxënësit në Shkodër.
Të gjitha këto mund t’i ndiqni në emisionin “Një nga ne”