Ana Mattsson dhe autori i shkrimit, poeti dhe studiuesi Sadik Bejko

Një përmasë e tragjikes në poezinë e Ana Mattsson

30 Qershor 2019, 07:32| Përditesimi: 30 Qershor 2019, 07:35

  • Share

Kam dy përshtypje shumë të bukura nga leximi i poezisë “Vajzukja kundrejt botës lemerisur” të poetes suedeze Ana Mattsson.

E para, për atë që quhet përmbajtje, për një lëndë të dramatikes, të tragjikes së jetës trajtuar në poezi. Ky brumë i tragjikes shkarkohet në imazhe, derdhet në vargje, godet rëndë me thekse të vërteta tragjike. Flitet për një vajzë tmerri të dhunuar, të bërë copë mishi, të përzier me dheun, me  barishtet. Imazhi i saj del herë mbi tokë, herë nën tokë. Renditen jo si narracion, po si imazh disa skena ngjethëse, skena llahtare. Edhe personi që e shkruan, apo uni poetik që i paraqet  skenat, është i tërthortë. Diku ky person i thotë vajzës së tmerrit ‘Eja, të të përqafoj, …  unë të lashë të më ikje’. Pra nuk flitet për një vajzë atje përtej, flitet për një vajzë këtu, brënda ndërgjegjes të atij që rrëfen . Sikur është përgjegjes vetë autori që e ka shkruar, sikur ai e ka shtyrë atë në thonjtë  e fatkeqësisë. Kjo në një lloj mënyre është  pranim fajësie. Ta quash veten bashkfajtor në diçka që pavarësisht teje i ka ndodhur ndokujt, kjo është që të marrësh mbi supe përgjegjësi.

Të duket sikur kjo gjëmë tragjike na ka ndodhur neve personalisht, ne e kemi pësuar atë, dhe duke e shkruar, e hedhim tej si një ngjaraje që u ndodh të gjithëve, si një ngjarje tragjike e prodhuar prej ne të gjithëve. Duke e shpallur hapur bashkëfajësinë, pjesëmarrjen në krim, vijmë te katarsisi, te pastrimi. Këtu jo vetëm autorja sforcohet nga diçka e tmerrshme, por edhe ata që e lexojnë ndiejnë se janë përgjegjës, të kapluar nga demonët e së keqes. Në përballje me ndërgjegjen nëpërmjet leximit edhe lexuesit vetëpastrohen.

Kjo është një mënyrë shumë e vjetër e të kapurit nga letërsia të lëndës tragjike. Ky trajtim kësisoj i problematikës tragjike që nga Shakespiri shliron ndërgjegjet nga faji tragjik, nga krimi, i pastron. Kështu tragjikja nuk është atje tej, është brenda nesh kur lexojmë librin, poezinë, është në sallë kur atë (poezinë) e recitojmë, është këtu me mua kur shkruaj mbi këtë poezi. Gjëma nuk i ka ndodhur dikujt në të kaluarën. Më ka ndodhur mua tani, këtu.

Kjo si përmbajtje ishte e papritur për ne në Shqipëri. Një lëndë e tillë në penën e një poeteje suedeze? Kjo duket e pabesueshme.  Ne mendojmë se vendet nordike, për standardet që kanë, nuk ndeshen me këto probleme. Nuk përballen me ngjarje ngjethëse që për ne shqiptarët janë të përditshme. Por tragjikja është një dimension universal i jetës, gjëmat  nuk njohin kohë e hapësirë.

E dyta përshtypje e mirë nga poezia e Ana Mattsson vjen nga ‘përmbajtja’ e formës, pra, nga mënyra se si e orkestron poezinë, si i merr dhe i shtjellon motivet. Flitet për të njëjtën gjë dhe sikur s’është e njëjta gjë. Nuk kemi ngjarjen si në një baladë tragjike. Kemi gjendjen e tmerrit, kemi pasojën e tij mbi personin që e pësoi, përcjellë dhe tek gjjithë auditori. Vjen një si klimë, një gjendje tmerri jashtëkohore (pa kohë), por ciklike, tmerr që e pushton dhe e ripushton mjedisin, komunitetin.

Është një kompozicion unazor, ku e njëjta temë merret dhe rimerret përsëri në çdo pjesëz të poezisë, rimerret i njëjti lajmotiv: vajzë tmerri, vajzëz tmerri, vajzuke tmerri. Por edhe në këtë tmerr nuk mungon një rreze dielli. «Do të të jap diell, eja këtu, dil prapë nga toka, ringjallu ».

Në një shënim të këtyre  ditëve mbi këtë poezi, duke vërejtur  ngjeshjen, densitetin e shkrimit si procedim, është folur  për një afrim me poetikën e Ugarettit. Mendoj se shmangia e naracionit tradicional në poezinë e Mattssonit ka çuar te një repertor i mjeteve të poezisë moderne, poetikë që më shumë sugjeron, më shumë e fshik, e fsheh dhe e copëzon subjektin. Të ngjan se janë vargje të  ndërtuara jo mbi faktet, po mbi imazhet e tij.

“Dritës”

Poezi nga ANNA MATTSSON

Ish ajo e veshur  me një fund  të shkurtër

tek qëndronte para tij mes drurëve

ajo e veshur me një fund të shkurtër dhe një buzëqeshje

një hije përmbi të aspak e dëshiruar

kur ajo shëtiste pranë tij

po a shëtiti ajo pranë tij

pa përdorur dhunë

a shëtiti ajo një hap para apo prapa tij

po klithur apo ngritur dorën

një herë të vetme kundër tij

a veshi ajo një fund të shkurtër

një fund të gjatë apo një pale xhinse

thonj elegant pantallona të shkurtëra të zeza e veshi ajo

a u pagëzua ajo me emrin lavirja me lulkë

a u valëvit lulka e saj nëpër fjalimet popullore

a ishte nënvetja reputacioni I saj

ishte ajo e hedhur në një livadh

me gjenitalet shqyer copë e çikë

sikur të ish një akt krejt i ligjshëm

gjendej atje një tribunë për ekzekutimin e asaj

që askurrë nuk e hodhi vështrimin nga toka.

(Shqipëroi nga anglishtja: Alisa Velaj)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?