Pjese nga traskriptimi mbi Lulzim Basha

Carlo Bollino: Një transkriptim ende pa audio dhe ''përgjimet'' që përfshijnë edhe Lulzim Bashën në 21 janar 2011

21 Janar 2023, 16:19| Përditesimi: 21 Janar 2023, 17:29

  • Share

Prej ditës së djeshme qarkullon në mediat sociale një transkriptim misterioz i një dialogu të zhvilluar më 21 janar 2011 nëpërmjet radiove, që duket të jetë bërë mes komandantit të Gardës të asaj kohe, Ndrea Prendi dhe disa oficerëve të mobilizuar në betejën kundër demonstruesve socialistë në protestën para kryeministrisë. Një protestë që përfundoi tragjikisht me 4 protestues të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Dokumenti i paraqitur fillimisht si një audio-përgjim, në të vërtetë është vetëm një tekst pa audio, sepse audio (shpjegojnë gazetarët që kanë shpërndarë zbardhjen) iu është dorëzuar familjarëve të viktimave, të cilët nga ana e tyre duhet ta dorëzojnë në prokurori si provë. Provat sipas këtyre gazetarëve skrupolozë, ''nuk mund të publikohen online''.  

Në një vend ku të ashtuquajturit ''gazetarë investigativë'' janë mësuar të shpikin dhe të botojnë akuza të paverifikueshme, vetëm e vetëm që të ftohen nëpër studio televizive, është e çuditëshme që kur më në fund kanë një provë konkrete në duar, zgjedhin të mos e shpërndajnë. Më e mundshme është se ky vendim është marrë nga  kush ka vendosur t’ja besojë medias ato regjistrime, prandaj, edhe këtë herë gazetarët-investigativë nuk janë autorët e asnjë investigimi, por vetëm mjete në duar të të tjerëve. I kontaktuar nga Report TV, xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, tha se nuk i takon atij të dorëzojë audion, por prokuroria duhet ta gjejë vetë. Pra ku do të perfundojnë regjistrimet audio? Dhe ky është misteri i parë. 

Misteri I dytë është se si është e mundur që qeveria, përmes Elisa Spiropalit dhe ministri Ulsi Manja, ka vendosur të besojë menjëherë në atë “prodhim gazetaresk” misterioz, pa e verifikuar më parë personalisht duke e dëgjuar? Nëse nuk fsheh qëllime të tjera, kjo mund të jetë prova e pafundtë e faktit se mediat janë “sharlatane” vetëm kur u vjen për shtat. Dhe kjo vlen për të gjithë, të djathtë dhe të majtë.  

Por cfarë përmban ai traskriptim dhe sa vlen me të vërtetë? Dhe, përse në vend që të inkriminojë Sali Berishën, fut në valle Lulzim Bashën? 

1) Problemi i parë, siç thamë, është se audio nuk ka. Eshtë rasti i parë i një përgjimi audio vetëm me tekst. Pra duhet të pranojmë ne mirebesim transkriptimin e bisedave radio për pjesat dhe ashtu siç janë zbardhur nga gazetarët (apo nga kush për ta) pa mundësinë e verifikimit. Të paktën deri kur audio të shpërndahet.  

2) Problemi i dytë është se nuk dihet me siguri se kush flet në radio. Komunikimet shpesh janë në kod dhe nëse herë pas here përmendet emri i ndonjë oficeri të Gardës, nuk del asnjëherë emri i Ndrea Prendit që bashkë me Agim Llupon janë dy të akuzuarit kryesorë në procesin qesharak që është zhvilluar deri tani mbi masakrën dhe që u mbyll me dënimin e Prendit me 1 vit dhe të Llupos me 3 vite burg për vrasje nga pakujdesia. Kater vite burg në total për 4 vrasje!!! 

3) Problemi i tretë është se në dallim me entuziazmin e treguar nga zbuluesit e këtyre audiove, ajo audio nuk tregon asnjë përgjegjësi politike të Sali Berishës. Sipas transkriptimit një zë që i atribuohet Ndrea Prendit, thotë: “Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajër. Pastaj kur të them unë në trup”. Pra urdhëri është që të qëllohet në ajër për të mbajtur larg protestuesit dhe pastaj të qëllohet në trup ''kur ta them unë”. Por ky urdhër i dytë, dramatik, në transkriptimet e publikuara nuk del. Ndërsa zëri që thuhet se i takon Prendit shton pak me vone: “Me t'u kaluar gardhi i telave, do të hapet zjarr luftarak. Ky është urdhëri”.

''Zjarri luftarak'' është një kod që përdor Garda dhe që tregon një urdhër për të përdorur fisheke të vërtetë (jo stërvitorë), duke qëlluar më parë në ajër si parandalim dhe pastaj në lartësinë e këmbëve në raste ekstreme për të mbrojtur një institucion. Edhe në këtë rast nuk dëgjohet një urdhër i qartë për të vrarë. Dhe mbi të gjitha nuk ka asnjë provë që të çojë direkt te Sali Berisha, edhe pse është e qartë për të gjithë se ishte ai nxitësi i asaj dhune të pabarabartë dhe vrasëse. 

4) Surpriza qëndron në faktin se transkriptimi nxierr si protagonist Lulzim Bashën, atëherë ministër i Brendshëm, kur një zë në radio, i paidentifikuar (me të ngjarë është centrali operativ i Gardës) thërret “260 i Luanit” dhe thotë “të kërkon ministri këtu në radio”. Po kush është “260 i Luanit”? Nga burime të Report TV rezulton se ky ishte kodi që përdorte Dashamir Shehu, Komandant i Batalionit të Dytë (ruajtja e rrethimit të jashtëm të kryeministrisë). Sipas hetimeve të organit të akuzës Dashamir Shehu ka qenë person nën hetim, ndonëse nuk përfundoi i pandehur. Me 21 janar Shehu ka qenë komandant i njësisë nr.2 që ka pasur si detyrë ruajtjen e godinës së Kryeministrisë, Kuvendit, banesën e kryeministrit etj. Ai ka pasur nën varësi atë ditë 60 efektiva të Gardës. 

Transkriptimet e publikuara cuditerisht marrin fund këtu, pa qartësuar se çfarë po i komunikonte Lulzim Basha komandantit Dashamir Shehu që ndërkohë po lejon njerëzit e tij të qëllojnë mbi protestuesit.  Megjithatë, fakti që Lulzim Basha ishte në komunikimi direkt via radio me Gardën gjatë aksionit, mjafton pë ta futur personalisht në përgjegjësi dhe përgënjeshtron versionin e tij se në masaker e 21 janarit Ministri i Brendshëm (si Kryeministri) ''nuk ka pasur asnjë rol''. Version të cilit, si prokuroria ashtu dhe gjykata, i besuan në mënyrë të turpshme.   

Eshtë kjo dhe vetëm kjo e vërteta e re nga ky dokument që akuzon Bashën dhe nuk fajëson Berishën: Duke njohur rolin diabolik të Sali Berishës, është i fortë dyshimi se “dora” që ka ofruar transkriptimet (e pjesshme) të atyre komunikimeve radio 12 vite pas ngjarjeve, nuk janë shërbimet e huaja sekrete si po përpiqet të thuhet, por pikërisht stafi i “doktorit” që edhe këtë herë po piloton “gazetarët” duke shfrytëzuar megalomani e tyre dhe maninë për protagonizëm të tejskajshëm.

Por nëse nuk është thjeshtë bllof mediatik i radhës dhe prokuroria do të verifikojë deri në fund dhe do ta zbardhë audio-përgjimin, ka një shpresë të fundit: që Lulzim Basha mund të thirret nga Drejtësia për të treguar më në fund rolin që ka pasur në tragjedinë e 21 janarit dhe urdhërat e Sali Berishës që ai thjesht i ka zbatuar. 

xy/ReportTv.al
Komento

Komente

  • alfred: 22/01/2023 21:23

    z.Bollino si gjithmonë ekselent në shkrim , në gjykim dhe në paraqitjen e të dhënave të sakta, bravo dhe uroj suksese.

    Përgjigju
  • Bato: 22/01/2023 16:02

    Te lumte z Bollino. . Po ja çjerr masken ketij gjobvenesi Artan Hoxhes. ...i cili eshte thjesht sherbetor i Saliut dhe Likes se Mones

    Përgjigju
  • Fshati: 22/01/2023 10:38

    Dikur flitej vetem per masakren e 2 prillit ne Shkoder. Tani flitet par 21 janarin ne Tirane. Me siguri keta politikanet tane flasin per njerezit e vrare sikur flasim ne fshataret per lopet qe fryhen nga jonxha.

    Përgjigju
  • Tami: 22/01/2023 06:30

    Kjo eshte analize perfekte e nje gazetari te vertet, i sakte dhe shume profesional. Investigativi A.Hoxha eshte bere si kllaun i peshtire ne banaqet e mediave. Kjo eshte mendja diabolike e Berishes, e habitshme deri ku mund te shkoje. Shume fat i keq per Shqiperine. Respekt dhe mirenjohje per ju Z.Bolino!

    Përgjigju
  • Iris: 22/01/2023 04:06

    Provat nuk mund te botohen on-line por nga ana tjeter u jane dhene familjareve te viktimave?! Edhe nje muzeum,apo nje ambasade do te kishte qene me bindes si vend dorezimi neutral, se sa familjeve.Per mendimin tim,Berisha po e ben si me Hajdarin qe ua nxori Haklajve per t'a hequr qafe.Tani kete prove te re ua ka dhene familjeve qe te veprojne me Bashen,sic u veprua me Hajdarin dikur.

    Përgjigju
    • LORA: 22/01/2023 10:21

      Ekzakt, Iris.

  • Kistra: 21/01/2023 20:20

    Carlo, ju meritoni respektin e mirenjohjen e cdo qytetari te ketij vendi! Faleminderit qe kontribuoni per nje Shqiperi me te mire!

    Përgjigju
  • vlora1: 21/01/2023 17:16

    Shkrim i sakte me argumente.Pyetja qe me lindi sa lexova lajmin ishte:Si ka mundesi qe sherbimet partnere i japin A.Hoxhes kete kasete dhe nuk ja japin homologeve te tyre?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?