E gjithë kjo rrumujë apo gallate, le ta quajmë si të duash që Sali Berisha po nxit pas shpalljes së tij si i pandehur, nuk se e ndalon ndjekjen e tij penale. Nuk ka asnjë mundësi që të ndodhë kështu. Madje edhe sikur drejtësia të ishte ajo që ishte e Sali Berisha të ishte kryeministër.
Një dosje, ose do shkojë në gjyq, ose do të mbyllet. Mund edhe të mbyllet me procedurë xhanëm siç ka ndodhur me shumë dosje, por sërish kemi të bëjmë me artific. Është një njollë, që kush e ka marrë nuk se e ka hequr dot.
Opozita shqiptare, sado që të ketë arsye, e ndoshta edhe të drejtë në mallkimin, akuzat ndaj mazhorancës dhe eksponentëve të saj, sërish ka një ngërç. Pasi sa herë, jo sot me SPAK, por në histori drejtësia shqiptare ka pasur akuza ndaj eksponentëve të PS-së, të gjithë, pa përjashtim kanë shkuar në prokurori.
Viti 1992, kur PD e Sali Berisha jo vetëm kishin të gjithë pushtetet por bënin edhe diellin edhe shiun. Mallkuan, sulmuan, akuzuan njjë eksponent të PS-së-Gramoz Ruçin. I cili jo vetëm që shkoi në prokurori, por edhe në gjykatë, qetësisht, e ju është përgjigjur pyetjeve, duke u mbrojtur edhe nga akuzat apo insinuatat.
Me duar në xhepa, pa bodygardë, e mbajnë mend Gramoz Ruçin në Shkodrën e brigadistëve të frikshëm.
Sot Sali Berisha, kur kanë kaluar 33 vjet nga rënia e komunizmit nuk e pranon se duhet të shkojë në prokurori, kur ajo ka një akuzë ndaj tij. Pse? E ka gabim? Shko e provoje, në gjykatë. Ndryshe nuk e ke provuar.
Por ta lëmë Sali Berishën, pasi duket se këtë logjikë ai e ka kthyer në ves, nuk do të shkojë. Madje edhe kur policia i shkon në shtëpi, nxjerr djalin e vajzën për tu thënë policëve: a ç’na çani kokën!
Sali Berisha, sa të jetë në këtë jetë nuk ka për ta ndërruar zakonin, sado qimet mund t’i heqë me lazer. E ky është një ves që ashtu ngelet, e doktori nuk duket se është i vetmi në glob. Ka edhe shokë në këtë rrugë siç është edhe njeriu më i fuqishëm i Amerikës për 4 vjet, Donald Trump. Ka një numër të madh njerëzish që këta tipa i quan si të shkarë, të luajtur, arrogantë, prepotentë, mizantropë. Pra, punë klinike më shumë sesa politike.
Por si ka mundësi që e gjithë opozita të marrë rastin Berisha e ta krijojë si precedent. Po a kërkon kjo opozitë të vijë në pushtet ndonjëherë, duke dalë më lart se mazhoranca në aspektin e moralit e duarve të pastra?
Me këtë mbrojtje skandaloze që po i bëjnë Sali Berishës, ka shumë gjasa, edhe pse deri tani nuk ka ndodhur, që edhe çdo person zyrtar i akuzuar nga SPAK të bëjë si Sali Berisha.
Madje ka shumë mundësi që ta bëjë ndoshta në një mënyrë tjetër, por të sfidojë SPAK së paku në aspektin që prokurorët special deri tani e kanë përdorur si precedent për mazhorancën. Ku eksponentët e saj i ka futur në burg, e i kanë lënë brenda për një kohë të gjatë deri në përfundimin e procesit. I cili kur është kryer ka shkatërruar çdo mundësi e reputacion të të akuzuarit.
Po sot? Kërkon arrestin tim me burg? Po Sali Berisha që ngriti 17+2 kulla e shantazhon çdo minutë prokurorët, nuk vjen në gjykatë, e nuk pyet për drejtësinë? A është drejtësia e barabartë për të gjithë?!
Ka shumë gjasa që kjo e fundit të mos ndodhë, pasi ka një precedent të qartë nga PS si sillet me akuzat zyrtare të SPAK. Megjithatë politikisht, opozita nuk e ka kaluar “Rubikonin” e saj politik. Shumë skifterë të foltores, “Rubikonin” e kanë konsideruar si mundësi për të rrëzuar me dhunë pushtetin në fuqi, pasi e analizojnë metaforën bazike të politikës botërore sipas midesë së tyre.
Por Çezari Rubikonin nuk do ta kalonte kurrë nëse nuk do të kishte një legjitimet e përkrahje nga populli i Romës, nuk do ta kalonte kurrë nëse Pompeu, Katoni e Ciceroni të mos e konsideronin si armik, kur në fakt ishte një hero.
Rubikoni i Sali Berishës nuk është dhuna, pasi atë ai e ka pasur dhe e ka mjet politik të përditshëm. Rubikoni politik i së djathtës shqiptare është i thjeshtë: respektimi i drejtësisë. Që për 30 vjet Sali Berisha e ka kthyer në legjendë, sa veten e ka quajtur të Paprekshëm. E bashkë me këtë edhe ata që e quajnë pasues të Berishës. Ndryshe? Kalojnë Rubikonin që në rastin tonë është Lana e njerëzit vijnë nga Kamza me shtiza e kundërtankë për të djegur Kryeministrinë.