Sali Berisha

Opinion

NQS-të e Berishës deri më 2025

19 Shtator 2021, 12:22| Përditesimi: 19 Shtator 2021, 12:52

  • Share

Më 25 prill, rreth 655 mijë shqiptarë votuan për PD-në dhe aleatët e saj të vegjël (këtu përfshihen edhe disa mijëra votues të dathtë që mund të jenë ngatërruar me fletët e votimit të tipit fjalëkryq, e për rrjedhojë, votat u kanë rezultuar të pavlefshme).

Pas përplasjes publike Berisha-Basha, është jashtëzakonisht e rëndësishme të dihet se ç’mendojnë këta 655 mijë votues të djathtë. Jo se ata mund të votojnë në Kuvendin apo Këshillin Kombëtar të PD-së, por kushdo që don të jetë udhëheqësi real i një partie të madhe (jo thjesht de facto), duhet të ketë përkrahjen e elektoratit të gjerë të partisë.

Rezultatet e sondazheve private që bëj nuk mund t’i publikoj, por mund të them (pa u futur në detaje) se asnjëri në dyshen Berisha-Basha nuk ka ende epërsi domethënëse statistikore ndaj tjetrit. Foltorja që Berisha zhvilloi në Rogner, e që u transmetua drejtpërdrejt nga disa TV, synonte pikërisht epërsinë në elektoratin e gjerë demokrat.

Sidoqoftë, strategjia aftshkurtër e Berishës është që të sigurojë mjaftueshëm përkrahje në seksionet, grup-seksionet, Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin e PD-së, në mënyrë që të realizojë shkarkimin e Bashës dhe rikthimin e tij në krye të PD-së, ose të një njeriu më të besuar se Basha.

Në Qoftë Se (NQS) Berisha e arrin këtë objektiv agatshkurtër, gjasat janë që që balanca e përkrahjes në elektoratin e gjerë demokrat të anojë nga ai. Por pas kësaj NQS-je, vjen një NQS tjetër, edhe më e madhe: SPAK-u…

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadorja amerikane deklaroi pak a shumë se, kur Departamenti i Shteti shpall persona non grata një politikan të rëndësishëm si Berisha, bazohet në të dhëna të besueshme, e për rrjedhojë, autoritetet e shtetit përkatës duhet të ndërrmarin veprime konkrete hetimore. Dhe në Shqipëri ky autoritet është SPAK-u.

NQS-se SPAK-u, përkundër pritshmërive amerikane, nuk fillon një hetim serioz zyrtar ndaj Berishës, pozitat e këtij të fundit në elektoratin e gjerë demokrat do të çimentoheshin. Por a mjafton kjo gjë për objektivin tjetër të Berishës – anullimin nga Departamenti i Shtetit të statusit persona non grata për të?

Një PD e kryesuar nga Berisha apo një beniamin i tij do të izolohej nga administarta aktuale amerikane dhe më gjerë, ngaqë përplasja e tyre ka qenë shumë publike me Berishën. Dhe kur superfuqia botërore dhe aleatët e saj të izolojnë në një vend të parëndësishëm si Shqipëria, përkrahja e 650 mijë votuesve demokratë (përballë 800 mijë votave që siguron rregullisht PS-ja dhe satelitet e saj) nuk të ndihmon shumë në Departamentin e Shtetit...

Pra, asnjë rreze drite në fundin e tunelit për Berishën?

NQS Trump ose një beniamin i tij fiton zgjedhjet presidenciale amerikane më 2024, Berisha mund të shpresojë për emërimin e një Sekretari Shteti, të cilit mund t’ia gjejë anën me lobim, për ta shfuqizuar vendimin e Sekretarit aktual për shpalljen persona non grata. Dhe NQS kjo e dyta ndodh para zgjedhjeve parlamentare shqiptare të 2025-ës, Berisha mund të shpresojë për rikthimin e PD-së në pushtet.

Akronimi NQS është përdorur 6 herë në këto pak rreshta (jo më kot me shkronja të mëdha). Për Berishën, pengesat NQS do të jenë hap pas hapi më të larta.

Në fakt, pas 1997-ës, ai ia doli të kapërcente shumë pengesa të larta, për tu rikthyer i gjithëpushtetshëm në krye vendit. Por atëherë ai ishte shumë më i ri në moshë dhe me bagazh më të vogël problemesh se sa aktualisht…

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?