Lili Home Made në Berat, ka 594 reviews të shkëlqyera në TripAdvisor, 5 star dhe renditet i pari nga 45 restorantet e Beratit.
Sigurisht që nuk na linte krimbi pa shkuar.
Rruga për te Lili, përdridhej në kalldremet e ngushta të lagjes Mangalem. Ndalonim në dyer plot ngjyra e pragje shtëpish të lyera me gëlqere, bënim foto e kërkonim Lilin.
Një grua bjonde e në moshë na preu rrugën e u perpoq të na joshte në dyqanin e saj "shtëpi" për të na shitur reçel limoni që sipas saj bënte mirë për barkun. "Kërkojmë Lilin"- i thashë.
"Ja ku jam, mirë se erdhet"- ia behu Lili, një burrë rreth të dyzetave me pantallona të shkurta e kanotjere bojëqielli.
Mbetëm pa fjalë. Lili që kërkonim, "ajo" e famshmja e TripAdvisor-it ishte burrë!
Lili na udhëhoqi në restorantin tij duke ngjitur disa shkallë. Heshtur dhe të habitur u gjendem në një sipërfaqe rreth 15m2, rrethuar me mur guri të lartë. Qielli as nuk dukej më.
"Ku do rrini? Brenda apo jashtë?"- tha Lili ndërkohë që e kish fjalën për 10m2 të pambuluar apo 5m2 të mbuluar.
Lili: "Këtu nuk pihet cigarja. Nuk mē lejojnë të huajt."
Kishim mbetur pa fjalë ndërkohë që një mendje na thoshte t'ja mbathnim vrapit andej nga erdhëm, andej nga dyqani i gruas me reçel për dhimbje barku.
U ulëm si të hutuar në "verandën" 10m2 ku nuk pihej duhan. Një çift amerikanësh po hanin në një tavolinë në cep.
"Këtu ka lindur im atë"- tha Lili dhe syte tanë u ngulen në kalldrem, aty ku Lili tregonte me gisht.
Na solli ujë Tomorri në një shishe qelqi dhe na tha të mos e zbraznim të tërë shishen se ku i dihej, "ujë mali e ça s'ka brenda". Më pas erdhi me tabelë të sajuar e cila ishte menuja.
Pa fjalë. Surreale. Lili ishte trill i fantazisë apo egzistonte ky vend vërtet?
Porositëm. Lokali u mbush me të huaj. Shumë të tjerë erdhën më pas por nuk gjetën vend.
Në aq pak metra katror kishte gjashtë kombësi të ndryshme që provonim gatimet e gruas së Lilit. Gatimet ishin vërtet të shkëlqyera.
Të gjithë i kish mbledhur Lili aty.
Lili ishte mjeshtër i komunikimit. Me ate staturën e tij pak të përkulur, fjalët e ëmbla, gjysëm shqip, anglisht e lloj-lloj gjuhësh, Lili të shiste gjithcka:
"Qofte avec tomato", "you say, I bring", "aubergine fresh" "sallat' green with onion and sallator".... Lili ishte Nonaaaaa!
Qeshnim me të madhe, ne trajnerët e mikpritjes që kishim ardhur të trajnonim hotelet e restorantet në Berat.
Kur dolëm, Lili na përcolli deri te dera e na shpjegoi se ajo gruaja, e bukur sipas Lilit, ishte e ëma. Ajo filloi të na shiste sërish recelrat..,
vrapuam.
Ishte pjellë e fantazisë sonë apo sapo darkuam në një zgëqe të nxehtë, me mure të lartë guri, në tavolina me dru të vjetër të sajuar me gozhdë, shërbyer në pjata të Ushqimit Social?!
Po ajo e reçelit, vertet ishte e ëma? Vërtet i ati kish lindur në ato kalldrëme? Vërtet e ëma kish punuar në Ushqimin Social dhe keshtu kishin përfunduar ato pjata aty?
Në mendje më shkuan të gjithë leksionet e marketingut, shitjes, mikpritjes e gjithcka u mesoj kursantëve të mi. Lili! I papam'!
Story sells.
Historia shet! Nëse nuk ke një të tillë, shpike! Pikë!