Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Nuk më intereson as Luli, as Doktori

2 Tetor 2021, 16:36| Përditesimi: 2 Tetor 2021, 16:38

  • Share

Në Shqipëri që të jesh i respektueshëm, duhet të kesh një nga këto cilësi: 1. Të të kenë interes; 2. Të të kenë frikë.

Është e qartë se në 8 vjet në opozitë, Lulzim Bashën, ata që i kanë pasur nevojën, kanë qenë shumë pak. Mungesa e gjatë e pushtetit, e ka shturitur lëmshin e interesave dhe shumëkush sot, thuajse, është i painteresuar për fatin e tij, sepse nuk shohin tek ai asnjë shpresë. Që Luli nuk tremb kërkënd, pastaj, kjo s’ka nevojë për koment.

Në dallim nga Basha, Doktori në gjithë këto vite ka gjeneruar pushtet, politik dhe ekonomik, ka ngritur dhe ka pasuruar njerëz, ka ditur të bëjë miq dhe ndjekës, për shkak të pushtetit të madh që ka pasur. Duhet thënë edhe ajo që Doktori ka drejtuar siç ka mundur dhe ditur, jo siç është dashur ta bëjë një gjë të tillë.

Nëse nga Luli nuk trembet kush, e kundërta ndodh me Berishën, që ndër kundërshtarët e tij qarkullon rëndom ideja se: “Saliu të vret” (Përtej vërtetësisë që ka kjo shprehje, fakt është qarkullimi i saj.).

Lulzim Basha sot duket se po korr ato që vet ka mbjellë në gjithë këto vite. Atë as nuk e lanë të bënte diçka të tijën, por, edhe kur e linin, nga thesi nxirrte gjithmonë gjënë e gabuar.

Nuk mund të kuptohet ndryshe se shumica e bashkëpunëtorëve të tij në vitet e opozitës, sot janë kundërshtarë të flaktë.

Shih grupin parlamentar dhe kryesinë, të dyja të zgjedhura me dorë. Një pjesë i kanë dalë kundër, një pjesë as mish as peshk, një pjesë presin të shohin çdo bëhet, për të mos folur për ata që presin t’i shkasë këmba dhe shpresojnë se mo përfitojnë diçka nga mjegulla.

Pavarësisht kësaj, Basha trashëgon një parti ku të gjithë pretendojnë për gjithçka. Sa herë ka zgjedhje të përgjithshme, të gjithë duan deputetë; sa herë ka zgjedhje lokale, të gjithë duan kryetar bashkie; të gjithë duan në këshilla bashkiak; të gjithë duan drejtorë, ministra, zëvendësministra, anëtarë këshilli kombëtar, anëtarë kryesie… etj. Edhe sikur të kishte dashur Basha t’i bënte të gjithë, nuk do të kishte mundësi.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre, duket se kanë pritur momentin dhe sot kushdo bën ç’të ketë në dorë: kush hedh një shashkë, kush një shihe, kush një molotov, kush ngul një thikë, kush shtyn një karrige, kush thotë një fjalë… E gjithë kjo armatë, duket se ka nxjerr thonjtë dhe “hakmerret” sipas mënyrës së saj. Madje, një pjesë prej tyre ushqejnë shpresën se, meqenëse nuk i bëri Luli, do t’i bëjë Doktori.

Në këtë situatë që është PD-ja, me këtë mentalitet dhe filozofi që ka trashëguar dhe që nuk ka mundur dot të shkëputet, edhe sikur të ketë mundësi që nesër të vijë në pushtet, ajo nuk duhet, kurrsesi, të vijë. PD-ja sot duket një parti që ka humbur arsyen dhe logjikën. Asaj i duhet t’i kthehet arsyeja, të ndryshojë, ose, në të kundërtën, të shkrihet dhe të mos jetë “barrë” për këtë shoqëri. Personalisht nuk kam asnjë ndjesi për fatet politike të atyre që po luhen këto ditë.

E vetmja gjë që më shqetëson është fati i opozitës, sepse e besoj dhe e kam bindje se ky pushtet ka nevojë për një opozitë të fortë, një alternativë të moralshme dhe të besueshme.

Njerëzit në këtë vend janë mësuar aq shumë me të keqen saqë kanë filluar (ka kohë, në fakt) të mos u bëjë përshtypje asgjë.

Kështu që nuk do të jetë e largët dita që, ashtu sikurse dikur komunizmi, të mos shqetësojë asnjë ekzistenca vetëm e Partisë Socialiste në pushtet, sepse opozita do të jetë shpartalluar, për shkak të epsheve të papërmbajtura për pushtet personal të atyre që e krijuan.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?