Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i ka nisur brënda pak ditësh 7 letra Lulzim Bashës, kryetarit të Partisë Demokratike, (të vetshpallurit kryetar i ish-opozitës së vjetër), duke treguar se është sa politikan kalibri, aq edhe një qytetar i devotshëm i këtij vendi. Letrat e kryeministrit Rama, janë risia e një politike të re, e një politike të moderuar, e cila nuk përjashton në asnjë moment mes palëve, takimet, dialogun, bashkëpunimin institucional, deri në arritjen e një dakortësie bazuar mbi ligjin dhe Kushtetutën, për të mirën e vendit dhe demokracisë.
Por fatkeqsisht letrat e kryeministrit Rama, jo vetëm ranë në veshin e shurdhër, por ato u morën edhe si moment “dobësie, tërheqje, frike” etj, nga një opozitë e shpartalluar, nga një opozitë kaotike, nga një opozitë e trembur nga asgjesimi politik që do ti ndodhë pas 30 qershorit. Duke mos i marrë me seriozitet letrat e kryeministrit Rama, por thjesht duke i injoruar dhe interpretuar sipas orekseve të “ciceronit” të tij politik, duket se Lulzim Basha ka vendosur që bashkë me Doktorin, ta mbyllë edhe ai karrierën, por ndryshe nga ai, me një turp të madh.
Letrat e kryeministrit Rama, ishin ndoshta shansi i fundit për një kryetar partie, që jo vetëm ka ecur mbi gurë, sa kohë ka qenë në krye të PD, por çdo veprim opozitarist të dhunshëm dhe të paligjshëm, e ka justifikuar me gjoja “vjedhjen e votave”. Letrat e kryeministrit Rama nuk kanë qenë, dhe nuk janë lutje për Lulzim Bashën, por janë sinjale zgjimi, shpëtimi, dhe reagimi pozitiv ndaj atyre që kryetari i ish-opozitës, ka bërë dhe vazhdon të bëjë bazuar ndoshta jo mbi koshiencën e tij politike, por thjesht i detyruar nga kushte dhe rrethana të brëndshme dhe të jashtme.
Duke mos ditur, apo duke mos mundur të dalë nga rrethi “i zjarrit”, letrat e kryeministrit Rama për Lulzim Bashën, nuk duheshin marrë si “lutje, trembje, apo tërheqje” por ato duhet të ishin kthyer në shkak për një reflektim të thellë, dhe një thirrjemëndje jo vetëm për kryetarin e PD, por për gjithë kupolën drejtuese të një force politike, krejt të çorientuar.
Duke i quajtur letrat e kryeministrit Rama “një monolog bajat” dhe duke mos pushuar së deklaruari se “populli është me PD”, duket se Lulzim Basha, por dhe shpura e tij servile, mediokrre dhe e komplikuar, nuk kanë kuptuar asgjë nga çfarë deri sot ka ndodhur me Partinë Demokratike, apo dhe elektoratin e saj të zhgënjyer.
Mungesa e debatit brënda PD, mungesa e përfaqësimit dinjitoz të votuesve në Parlament, mungesa e ideve dhe programeve serioze, si dhe mungesa e personave të denjë profesionalisht, për të ringritur nga rrënojat një opozitë të vetpërjashtuar, e kanë kthyer atë parti në kufomë politike. Letrat e kryeministrit Rama, qysh ditën e parë u interpretuan keq, jo vetëm nga Lulzim Basha, por edhe nga stafi i tij i ngushtë, i cili është thjesht një grup personash apatikë, të paaftë, lokalistë, pa nivel, që rolin dhe pushtetin e opozitës e kuptojnë thjesht me thirrjet për “revolta popullore, molotovë, dhe kapsolla” dhe duke vajtur deri tek sulmet provinciale ndaj ndërkombëtarëve, sikur ata të ishin komshinjtë e SHQUP-it.
Mungesa e reflektimit, arsyes së ftohtë, dhe kthimit nga rruga e gabuar, si dhe vendosmëria e grushti njerëzish që duan pushtet dhe asgjë tjetër, dhe së fundi injorimi i shansit të fundit për tu kthyer sa më parë nga rruga pa krye, po e fundosin opozitën e bulevardit, në humnerën e frikshme për të mos u ngritur më kurrë si e tillë pas 30 qershorit./ Tema