Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta, ekspozohen 32 grafika të Gëzim Qëndros

27 Shkurt 2019, 17:00| Përditesimi: 27 Shkurt 2019, 17:11

  • Share

Ishte surprizë për shumëkënd që ishte i pranishëm në çeljen e ekspozitës me 32 grafika të Gëzim Qëndros, ku studiuesi dhe kritiku i artit në njëvjetorin e ndarjes nga jeta vjen për publikun me një dimension të pashfaqur më parë. Miqtë, kolegët edhe ish- studentët e tij e kanë njohur, si estet historian të artit, pedagog apo reformues të institucioneve artistike, në krijimtarinë e tij të hershme, si piktor edhe regjisor të filmit vizatimor. Por, si artist të mirëfilltë njihet shumë pak. Bashkëkuratori i ekspozitës “Grafika”, Agron Mesi na rrëfen se këto vepra janë realizuar para viteve 2000.

“Ai diskuton në këtë vepra si gjatë gjithë krijimtarisë së tij, problemin e thellë të dialogut hierarkik, të marrëdhënies, të përshtatjes apo të mos përshtatjes, të thelbit dhe dukjes, apo të trupit dhe shpirtit, të perceptimit dhe mendimit të ndjesisë apo të koracës dhe lëndës brenda. Në përgjithësi të gjitha këto vizatime grafike përmbajnë këtë lloj dialogu të kontinierëve, që mbajnë brenda turp dhe shpirt”, thotë Agron Mesi.

Kuratori Edison Çeraj, na shpjegon në këto vepra turpi është si një koracë, enë mbajtëse e një gjëje më të shenjtë, siç është shpirti. Edhe shtëpitë janë të zhveshura nga funksioni i tyre utilitar, jetojnë në një situatë metafizike, pa kohë, pa vend, pa gravitet, sepse janë të përjashtuara nga rëndësia e tyre parësore.

“Është e vështirë që të mbledhësh disa kujtime që për mua kanë vlerë dhe domethënie. Kam qenë student i profesor Gëzimit, i cili ka qenë porta e parë drejt artit bashkëkohor. Takimi me të ka qenë një hapje shumë themelore në formimin tim. Edhe për mua pjesa më e madhe e punëve është hera e parë që i shoh. Është një frymë shumë intime, kur sheh profesor Gëzimin në këtë lloj cikli, gati duket si mospërputhje se ai ishte një karakter “i ftohtë”, studiues që gjithë kohës e shihnim duke ndarë ide. Kur sheh këto kupton se njeriu nuk është vetëm ai që shfaqet në publik. Ka një frymë metafizike, që nuk mjaftohet vetëm tek gjuha pamore apo gjuha grafike, por e tejkalon atë, duket si një ditar, që ka mirëprit momentin që të bëhet publik”, shprehet Çeraj.

“Edhe për mua është hera e parë që jam në kontakt me këto punë, jam shumë i befasuar. Më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë. Janë kuadrate me një pasuri të pafund teknike edhe ndjeshmëri të rrallë, shumë revokuese për ditët dhe problemet tona. Kam një dëshirë që të ngopem me këto vepra”, thotë skulptori Sadik Spahija

Ekspozita e kuruar nga Edi Hila vazhdon që të qëndrojë hapur për artdashësit në galerinë e Universitetit “Polis”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?