Nxënësit në Rinas sërish pa mësim, në shkollë vetëm 6 prej tyre! Mësuesit: Vijnë vetëm ata që janë afër! Vëzhgimi i Report Tv, fëmijët detyrohen të kalojnë mes makinave në rrugën pa trotuar

5 Maj 2022, 08:14| Përditesimi: 5 Maj 2022, 09:37

  • Share

TIRANË- 200 metra mes makinave, pa trotuar është rruga që duhet të përshkojnë fëmijët në Rinas për të shkuar në shkollë, rreziku i së cilës i ka lënë sërish pa mësim sot, për të dytën ditë radhazi.

Report Tv përshkroi rrugën që duhet të ndjekin fëmijët, ku ajo alternative e sugjeruar nga ARRSH, e njohur si 'Ura e Brrakës', nuk ndihmon shumë. Edhe nëse do të kishte një furgon që do t'i merrte fëmijët, e më pas do të kalonte në këtë rrugë, e paasfaltuar dhe shumë e ngushtë, sërish fëmijët detyrohen të përshkruajnë rrugë në këmbë mes makinave sepse kjo rrugicë alternative nuk i çon deri në shkollë.

Në shkollën ‘Rexhë Deliu’ sot kanë shkuar vetëm 6 nxënës, ndërsa për Report Tv mësuesit thanë se kanë shkuar vetëm ata që kanë shtëpitë afër.

Prindërit kanë treguar për mikrofonin e Report Tv se e kanë të pamundur t'i çojnë fëmijët në shkollë, duke shprehur edhe shqetësimin tjetër se që prej kthimit me një sens të rrugës, nuk shkojnë më furgona për t'i marrë. Sipas tyre, më parë paguan 2 mijë lekë në muaj për një fëmijë, ndërsa tashmë çmimi ka shkuar në 5 mijë lekë.

"Jo nuk i çova fëmijët në shkollë, si t'i çoj? Unë po kaloj kundravajtje për të shkuar te toka, fëmijët nuk kanë si kalojnë. Furgoni nuk erdhi t'i merrte. Para 1 majit vinin çdo ditë. Paguanim 20 mijë lekë për një fëmijë, tani kërkojnë 55.

Edhe ditën e djeshme, fëmijët në Rinas nuk shkuan në shkollë, teksa bashkë me prindërit tyre protestuan duke kërkuar kthimin e rrugës siç ka qenë, me dy sense kalimi. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, reagoi dje duke kërkuar që nxënësve mos t'i privohet e drejta e tyre për arsim, por megjithatë nuk propozoi ndonjë zgjidhje.

ARRSH ka vendosur që për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq. Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Rruga e njohur si ‘Ura e Hajdutëve’ që të lidh me Kamzën është bërë me një sens lëvizje dhe banorët e asaj zone, për të shkuar në autostradë, nuk kalojnë dot aty. Ata duhet të shkojnë tek Ura e Gjolës, më pas tek Fushë Preza dhe për të kaluar më pas tek rrethrrotullimi i Vorës për të marrë aksin e autostradës.

Ora 08:52
Fëmijët nuk shkojnë në shkollë se nuk kanë rrugë, prindi: Vajza shkoi në mësim, por u kthye sepse nuk i kishin ardhur shoqet

Fëmijët në Rinas nuk kanë shkuar sërish në shkollë, pasi prindërit e tyre po protestojnë, sepse rruga u kthye me një sens lëvizje. Madje dhe ato që e kanë afër, nuk kanë shkuar në shkollë. Për Report Tv një prind, u shpreh se vajza e tij në klasë të parë nuk ka shkuar në shkollë, sepse shoqet nuk kanë ardhur në mësim.

‘Në klasë të parë, nuk ka shkuar në shkollë pasi, nuk i kanë shkuar shoqet në shkollë. Vijnë me furgonin e lagjes, nuk ka rrugë, vetëm kjo pjesë këtu është që i kanë në lagje.’- tha prindi i saj.

Ora 08:45
Rruga pa trotuar, gjyshi me nipin ecin mes mjeteve: Një makinë më përplasi gruan këtu

Fëmijët e Rinasit, detyrohen të përshkojnë një rrugë pa trotuar prej 200 m për të shkuar në shkollë. Gjatë vëzhgimit të Report Tv, Fatmir Farruka bashkë me nipin e tij tha se detyrohen që të ecin në mes të rrugës, ndërsa rrëfue se një makinë në atë rrugë i ka përplasur edhe gruan.

‘Ka qenë rrugë dytësore. Unë po vij nga shtëpia dhe për të çuar fëmijën në shkollë. Këtu vijnë makinat me 130 km/h. Nuk ka trotuar. Më ka ndodhur edhe me gruan. Më ka përplasur gruan këtu ma ka hedhur jashtë rruge. Rruga është e ngushtë.’- u shpreh ai.

‘Jam 8 vjeç. Jo nuk kam shkuar në shkollë, dua të protestoj që të hapet rruga. Dal edhe unë.’- tha 8-vjeçari.

Ora 08:33
Report TV përshkruan rrugën nga ku duhet të kalojnë fëmijët në Rinas për të shkuar në këmbë në shkollë! 200 metra kundravajtje dhe pa trotuar

Rruga alternative, e njohur nga banorët në Rinas si 'Ura e Brrakës', sugjeruar nga ARRSH për t'u përdorur pas kthimit me një sens kalimi të rrugës kryesore, nuk i ndihmon fëmijët e zonës që të shkojnë të sigurt në shkollë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, përshkroi mëngjesin e sotëm rrugën që do të duhet të kalojnë fëmijët për të shkuar në shkollë, ku shihet qartë rreziku që i kanoset, për shkak se pas përfundimit të rrugës alternative, e paasfaltuar dhe shumë e ngushtë, janë të detyruar të ecin 200 metra në këmbë, kundravajtje në një rrugë pa trotuar dhe ku fluksi i lëvizjes së automjeteve është i madh.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?