Bota

OBSH: Dyfishohet numri i personave që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut! Rreth 1.3 miliard njerëz në të gjithë botën vuajnë nga kjo sëmundje

25 Gusht 2021, 11:46| Përditesimi: 25 Gusht 2021, 13:43

  • Share

Numri i personave mbi 30 vjeç të cilët vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut është dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit dhe më shumë se gjysma e tyre nuk janë duke u trajtuar për të, është bërë publik në një studim të ditëve të fundit.

Ndërkohë që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Kolegjit Imperial në Londër, rreth 1.3 miliard njerëz në botë jetojnë me tension të lartë të gjakut.

Në studimin e shtrirë në 131 vende të ndryshme të botës, thuhet se 41 për qind e grave dhe 51 për qind e burrave me presion të lartë të gjakut nuk ishin në dijeni të gjendjes së tyre shëndetësore, pavarësisht faktit se sëmundja mund të trajtohet shumë lehtë me ilaçe që kanë kosto të ulët, nga dieta më e shëndetshme dhe stërvitja tek medikamentet për uljen e presionit të gjakut.

"Megjithë përparimet që janë bërë gjatë dekadave të fundit në mjekësi dhe farmakologji, menaxhimi i hipertensionit ka qenë i ngadaltë dhe shumica dërrmuese e njerëzve me hipertension mbeten të patrajtuar", tha Majid Ezzati njëri nga autorët e studimit.

Një nga rezultatet më shqetësuese të studimit është se rreth 8.5 milion njerëz humbasin jetën për shkak të presionit të lartë të gjakut, i cili shkakton atak kardiak, dëmton venat e gjakut apo edhe organe të tjera jetësore.  Në studim janë përfshirë rezultatet e mbi 1200 testeve, nga vititi 1990 deri në vititn 2019.

Studimi gjithashtu tregon se vendet e pasura e kanë vënë nën kontroll këtë sëmundje, mirëpo situata më e keqe është në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.  Kanadaja dhe Peruja kishin përqindjen më të ulët të njerëzve me presion të lartë të gjakut në vitin 2019, me rreth një në katër njerëz që jetonin me këtë gjendje.  Tajvani, Koreja e Jugut, Japonia, Zvicra, Spanja dhe Britania e Madhe kishin nivelet më të ulëta të hipertensionit te gratë - më pak se 24 për qind - ndërsa Eritrea, Bangladeshi, Etiopia dhe Ishujt Solomon kishin normat më të ulëta te meshkujt - më pak se 25 për qind. Në anën tjetër më shumë se gjysma e grave në Paraguai dhe Tuvalu kishin hipertension, dhe më shumë se gjysma e burrave në Argjentinë, Paraguai dhe Taxhikistan vuajnë nga sëmundja.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?