Foto ilustruese

OBSH: Vaksina anti-COVID e aksesueshme në të gjithë botën deri në fund të 2021, apel donatorëve për financimin

12 Dhjetor 2020, 11:37| Përditesimi: 12 Dhjetor 2020, 11:40

  • Share

Organizata botërore e  Shëndetësisë është shprehur se nevojiten para që vaksina të shpërndahet dhe të jetë e disponueshme në të gjithë botën, edhe në shtete më të varfra të cilat nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar blerjen e vaksinës anti-COVID.

Gjatë informimit për COVID-19 në selinë e OBSH-së në Gjenevë Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se po punohet dhe synohet që të sigurojë  të gjitha vendet  të kenë qasje të njëjta për sa i përket  vaksinës. Gati 190 vende po marrin pjesë dhe qëllimi është të shpërndahen dy miliardë doza deri në fund të vitit 2021.  

Ai tha se pas Anglisë, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët kanë qenë vendet e para në botë që kanë nisur vaksinimin e qytetarëve edhe për vende e tjera kjo ditë nuk do të vonohet.

Ai tha se OBSH-së i duhen 4.3 miliardë dollarë për të siguruar vaksina për vendet në nevojë dhe u bëri thirrje donatorëve të ndihmojnë për të plotësuar financimin e munguar.

Drejtori i Përgjithshëm tha se organizata po punon me partnerët e saj në mënyrë që vendet në zhvillim të kenë infrastrukturën e duhur për shpërndarjen e vaksinave te popullatat e tyre. Zoti Tedros tha se OBSH-ja, përmes projektit të saj të bashkëpunimit për vaksinat COVAX dhe 189 vendeve pjesëmarrëse, ka siguruar gati një miliard doza të tre vaksinave të mundshme.

Por ai tha gjithashtu se mbyllja e hendekut në financim është thelbësore për të siguruar mbrojtjen e njerëzve në të gjithë botën. “Ne të gjithë kemi parë imazhe të njerëzve që vaksinohen kundër COVID-19. Ne duam t’i shohim të njëjtat imazhe në të gjithë botën dhe kjo do të ishte një shenjë e vërtetë solidariteti”, tha ai të premten.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?