'Open Balkan', BE: Përfshirja e të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor sjell përfitimet më të mëdha rajonale

22 Dhjetor 2021, 21:00| Përditesimi: 22 Dhjetor 2021, 21:14

  • Share

BE mbështet deklaratat e komisionierit për zgjerim, Oliver Varhelyi për ‘Open Balkan’. Zëdhënësja e KE, Ana Pisonero shprehet se Integrimi Rajonal që bazohet në rregullat e BE-së, i sjell vetëm përfitime Ballkanit Perëndimor. Sipas Pisonero, kjo është arsyeja pse BE kujdeset fort për bashkëpunimin rajonal.

“Mungesa e progresit në zbatimin e tregut të përbashkët rajonal ka penguar përfitime të rëndësishme, veçanërisht për biznesin, investitorët dhe konsumatorët”, thuhet në deklaratën e BE për Telegrafin.

Më tej BE thotë se mirëpret që pjesëmarrësit e Iniciativës për Ballkanin e Hapur të jenë të përkushtuar për të promovuar integrimin më të madh rajonal.

Po ashtu Pisonero tha se udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparim në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes në vitin 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve.

Ajo shtoi se përfitimet më të mëdha rajonale do të vinin nga përfshirja e gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor në iniciativën e Ballkanit të Hapur.

“Mbetet e qartë se përfitimet më të mëdha do të vinin nga gjashtë shtetet e Ballkanit. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë përparim në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes në 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve. Kjo është e rëndësishme për të realizuar përfitimet e plota të integrimit rajonal, për të shfrytëzuar sa më mirë investimet sipas Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe për të lidhur më mirë të gjithë rajonin me tregun e vetëm të BE-së”, tha zëdhënesja e KE-së.

Në fund theksoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA-n, Komunitetet e Transportit dhe Energjisë për të sjellë përfitime për të gjithë BB-në dhe më gjerë përmes bashkëpunimit të zgjeruar rajonal.

Një ditë më parë Komisionari i Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi tha se mbështet nismën 'Open Balkan', duke theksuar se e sheh atë si pasardhës të Procesit të Berlinit. Varheley u shpreh se tregu i përbashkët rajonal do të sjellë zhvillim ekonomik, teksa i kërkoi liderëve të tre vendeve që të vijojnë të nxisin këtë nismë. Edhe njëherë Varhelyi i kërkoi 3 vendeve që nuk i janë bashkuar kësaj nisme, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinës që t'i bashkohen sa më shpejt.

Në samitin e "Ballkanit të Hapur" dje në Tiranë të tre liderët, Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev kërkuan përkushtimin e vendeve të tjera të rajonit, përkatësisht Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, që deri tani kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë nismë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?