Më shumë se një mijë punonjës policie u angazhuan tri ditët e fundit në aksionet antikanabis në gjithë vendin duke përdorur 25 dronë për vëzhgim nga ajri në zonat e dyshuara për mbjelljen e bimëve narkotike.
Policia e shtetit tha se gjatë këtyre aksioneve, 3543 bimë narkotike cannabis sativa u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Në vijim të fazës së 34 të aksionit Imazhi, në fshatin Malbardhë, Kurbin u evidentuian 219 bimë kanabisi.
Gjatë hetimeve për këtë parcelë droge, Policia identifikoi dhe vuri në pranga autorin e dyshuar, shtetasin me inciale B. A., banues në Milot. Ndërkaq, 45 bimë kanabisi u asgjësuan në fshatin Breg Lumë në Tropojë, në vazhdim të operacionit “Bjeshkët e Nemuna”.
Pas evidentimit të bimëve narkotike, policia tha se kryetari i këtij fshati u procedua penalisht, për shpërdorim të detyrës pasi nuk kishte denoncuar kultivimin e kanabisit.
Sipas njoftimit të policisë, 1932 bimë narkotike u asgjësuan në territorin e bashkive Shkodër dhe Vau i Dejës, ndërsa në malësinë e Krujës, janë asgjësuar edhe 688 bimë të tjera në vijim të operacionit “Territor i pastër”. Policia tha se operacioni policor antikanabis po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me kontrolle nga toka, monitorim nga ajri, me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e Guardia Di finanza.