Sali Berisha

Opozita e shpallur 'non-grata' që kërkon të vijë në pushtet

12 Prill 2022, 17:02| Përditesimi: 12 Prill 2022, 17:07

  • Share

Gjithë opozita (në rast se biem dakord se opozita është Partia Demokratike) duket sikur ka hyrë në labirinthin pa kthim, të shpalljes “non-grata” të saj. Ajo parti ka marrë tashmë hijen e ish-liderit historik. Në oborrin, zyrat, korridoret dhe sallat e saj, flitet për Berishën, “bëmat” dhe fushatën e tij, luftën e tij ndaj amerikanëve, dhe mburren se “kemi një burrë që nuk trembet ndaj tyre”. Janë të vegjël dhe të paditur, tek i dëgjon të thonë në mexhilis, se “Berisha është kryetari, babai politik, Berisha është i vetmi që do ta rrëzojë këtë qeveri, me Berishën nuk matet asnjë, as SHBA”. Kjo miopi politike, është më e theksuar edhe tek “rinia e partisë”, tek ajo që dikur mbante shpresën Berisha, dhe që sot e ka kthyer në levë qorre e tij. Por ish-lideri, sot i rikthyer në “lider aktual”, nuk ndalet. Ai e ka vendosur të “djegë” partinë për të shpëtuar “nderin dhe dinjitetin e tij politik”. De facto , Partia Demokratike është një parti “non-grata”.

Dhe pavarësisht deklaratave që vijnë nga SHBA dhe Ambasada e saj në Tiranë, Berisha vazhdon rrugëtimin e tij. Po heq të gjithë kryetarët e degëve, po bën “zgjedhjet e reja” dhe vendos besnikët e tij në rrethe, po zbaton planin e largimit “me lezet” të atyre që mbështesnin Bashën, do të largojë padyshim Alibeajn, dhe deri në Shtator (një muaj me ogur ky) ai do të jetë shefi i ri i partisë, por jo opozitës. Një tjetër synim që ka Berisha sot, (e habitshme kur e mendon) është edhe rikthimi në pushtet…a thua se erdhi dje nga jeta publike, nuk e njohin, dhe pasi bëhet kryetar partie, kërkon të bëhet edhe kryeministër. Partia Demokratike po kthehet në shoqatë, nga ku bëhet humor me “ushtarët” e partisë, u tregohen atyre barcaleta dhe rrëfime me “pushtet dhe kryeministër”, ku padyshim personazhi kryesor mbetet ish-lideri Sali Berisha.Ata nuk munden kurrë ta mendojnë se, një ditë të bukur partia do të mbetet jashtë çdo axhende për ndërkombëtarët, pasi u ka mbushur rradaken Berisha se “rikthimin në politikë ashtu si unë, e bën çdo lider në botë”.

Tragjikomike kur e dëgjon, se si u flet atyre që e besojnë akoma edhe se “kongresi i Ramës ishte frika e tij ndaj rikthimit tim”. Pothuajse i ka bërë, ata që e rrethojnë si robotikë, dhe sipas gjasave, nuk kanë ndërmend ti thonë “as largohu dhe as mos kandido”. Një opozitë e rikthyer në duart e ish-liderit, që është shpallur “non-grata” nga partneri ynë stradegjik SHBA, natyrisht nuk mund të shpresojë që pa mbështetjen e tyre, të fitojë pushtetin. Shqiptarët e dinë, e njohin, dhe e mbajnë mënd fare mirë, Berishën president, Berishën kryeministër, e dinë dhe e mbajnë mënd mirë edhe Berishën në opozitë, kur digjeshin dhe shkatërroheshin qytetet dhe institucionet e shtetit, ndaj çdo përpjekje e tij për “rikthim në pushtet”, mbetet imagjinatë e shfrenuar dhe tallëse, që ai servir tek ata që e mbështesin akoma.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Miri: 13/04/2022 01:30

    Me logjiken e analistit patjeter qe PD jo te vije por edhe te ndalohet qe te marre pushtet, nese ka non grata! Brilante si arsyetim sepse edhe PS duhet te shporret nen te njejten logjike: non grata, te denuar dhe te arrestuar. Madje mbaje ku te qendroje me ritmin qe ka nisur. Mendje te tilla "analitike" i hapin syte popullit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?