Orieta Dado, me violinë në dorë nga Amerika në Norvegji e Gjermani

23 Mars 2019, 08:30| Përditesimi: 23 Mars 2019, 19:19

  • Share

Orieta Dado me violinën e saj ka interpretuar mbrëmë para publikut shqiptar me dashurinë dhe përkushtimin që shumë e ka ëndërruar. Kështu shprehet ajo në një intervistë për “shqiptarja.com”, duke theksuar se ardhja e artistëve të shquar shqiptarë në vende të ndryshme të botës duhet të bëhet një ritual i vazhdueshëm rikthimesh. Orieta me violinën saj ka qenë një nga zërat më virtuozë të kuartetit të përbërë nga Fatlinda Thaçi, çelisti Vlorent Xhafaj dhe  violisti austriak, Firmian Lermer. Ajo së bashku me këta instrumentistë kanë shënuar suksesin e ditës së parë të festivalit “Different Trains 2019”.

Duhet të theksojmë se Orieta është edhe vajza e akademikes së njohur Floresha Dado, e cila ndër shumë biseda për letërsinë dhe artet, nuk ka folur asnjëherë me gazetarët për sukseset e vajzës së saj. Kjo modesti dinjitoze, na bëri kurioz të mësojmë më shumë për karrierën dhe aventurat e suksesshme artistike të Orieta Dados: nga Amerika në Norvegji e deri në Mynih, ku punon aktualisht. Orieta Dado është një zbulim i suksesit dhe shkëlqimit në skenat botërore të një instrumentisteje shqiptare që nuk njeh limite. 

Posteri i Koncertit Xhafaj, Dado, Thaçi e  Lermer

Ajo ka mbrojtur doktoratën vitin e kaluar dhe aktualisht është violiniste në Orkestrën e Mynihut ku zhvillon aktivitete të dendura edhe për lidhjen e muzikës me artet e tjera. Orieta fillimisht ka studiuar violinë në Liceun Artistik “Jordan Misja” për të shkëlqyer në atë kohë jo vetëm me koncertet brenda vendit por edhe si soliste apo pjesëtare e “Virtuozëve të Shqipërisë”, drejtuar nga Zhani Ciko, duke debutuar në vende të ndryshme. Më pas studioi në SHBA me Kurt Sassmannshaus dhe më vonë me Dorothy Delay, duke fituar në vazhdim disa çmime të rëndësishme të botës muzikore amerikane si “Artist i Ri i Jeersonit” në Kolorado, Çmimi i Madh “Naftzger” dhe konkursin ndërkombëtar “Starling International”, etj. Së bashku me studimet e saj në Kolegjin Konservatorin e Muzikës në Cincinnati, ajo ndoqi një karrierë aktive solistike dhe muzikore. Ajo ka interpretuar live në Radio Publike Kombëtare në Minesota, në Gjeorgji dhe Kansas, Radio Marsejë, Radio Tirana. Ka interpretuar me Filarmoninë e Tiranës, me Radio Orkestrën e Tiranës, me Hays Symphony, Jeerson Symphony, Aspen Young Artist dhe Cincinnati Conservatory Orchestra.

Intervista

Orieta Dado, mirë se vjen në skenën shqiptare pas kaq aventurash suksesi në skenat botërore. Ku po zhvillohet aktualisht aktiviteti juaj artistik?

-Për momentin aktiviteti im zhvillohet në Mynih në Gjermani, dhe bëhet fjalë për tre katër vite e fundit.

Ku i keni bërë studimet bazë të muzikës?

-Studimet e larta i kamë bërë në Amerikë ndërsa studimet e para i kam bërë në Liceun artistik të Tiranës. Ishte çasti kur mora një bursë të plotë nga Universiteti i Hays, pastaj studiova në një nga shkollat më të mira në Amerikë.

Cilat kanë qenë gjurmët  para të suksesit?

-Gjurmët e para të suksesit kane qenë disa çmime që unë i mora në Amerikë si çmime të rëndësishme të botës muzikore amerikane si “Artist i Ri i Jeersonit” në Kolorado, Çmimi i Madh “Naftzger” dhe konkursin ndërkombëtar “Starling”, etj.

Nëna juaj, akademikja Floresha Dado, është një studiuese e letërsisë e natyrisht jo shumë larg botës artistike, por cilat kanë qenë lidhjet e saj me violinën dhe si e zbuloi talentin tuaj si artiste?

-Mami ka pasur ëndërr që ta kishte një fëmijë që të studionte për violinë. Dhe ja, ndërsa prindërit tanë përkushtoheshin për të ardhmen tonë, mua që kur isha 6 vjeç më dhanë një violinë në dorë dhe vëllait tim i dhanë një kitarë. Dhe kështu unë shkoja në Shtëpinë e Pionierit me atë violinë, ku luaja me shumë kënaqësi. Dhe kështu, pa shumë sforcime, unë fitova në një konkurs të drejtën që të ndiqja Liceun Artistik.  Qe shansi im që në Liceun Artistik të kisha mësues të mirë dhe të avancoja.

Një kujtim i paharruar për mua është edhe mësuesja ime e parë, Zysh Fatbardha Denizi, që fatkeqësisht ka një muaj e gjysmë që ka ndërruar jetë. Zysh Bardha ishte figurë themelore në jetën time, si violiniste dhe si njeri. Pedagogjia e saj për mua ka qenë një  nder xhevahiret e fundit të shkollës së një artisti të vërtetë. Ishte serioze, e tërthortë, e thellë, e vërtetë. Ishte ajo më dha bindjen që vet e kishte, ku qëllimi dhe fokusi i vetëm është muzika dhe ndergjegjësia e artistit që e interpreton. Si njeri ajo ishte nënë e të gjithë nxënësve të saj. Ishte jashtëzakonisht e dedikuar ndaj suksesit tonë dhe jashtëzakonisht e drejtë në gjykim: nuk kompromentonte kurrë kualitetin e ideve intelektuale apo artistike për hir të “njohjeve”. Personalisht, të gjitha veprat që ajo më mesoi janë skulpturuar përjetë në mendjen time, dhe mbeten edhe sot ndër më të suksesshmet kur i luaj. Mund të them, me bindje të thellë, se nga gjithë eksperienca ime me pedagogët, mentorë, artistë të nivelit më të lartë, zysh Bardha mbetet ndër me të shtrenjtat. Do të më ngelet një peng i madh që nuk arrita t’ia thosha këto fjalë.

Kur shkuat në Amerikë?

-Në vitin 1993...

Si u përshtatet atje. A mjaftonte fakti që ishe shumë e re dhe prisje vetëm një shans të realizoje ëndrrat e tua, apo e kishe të vështirë të integroheshe.

-Kur shkova në Amerikë, m’u duk një vend shumë i pasur, një jetë shumë e rehatshme, m’u duk si një botë krejt tjetër. Megjithëse unë vija nga një familje intelektuale e Tiranës që nuk ishim në një gjendje shumë të varfër, Amerika megjithatë m’u duk një gjë krejt tjetër, krejt ndryshe nga bota dhe nga Europa.

Më parë ju më thatë se në Kanada, Amerikë, patët shumë suksese, pse lëvizët drejt Norvegjisë?

-Lëvizja ime në Norvegji ishte një kuriozitet personal, sepse muzikantët duke qenë më internacionalë, më komunikues, më ndërkombëtarë, edhe për shkak të profesionit dhe komunikimit të tyre nuk identifikohen me një mentalitet të caktuar. U përshtata shumë mirë në Amerikë dhe nuk pata ndonjë ndryshim. Por kishte një kuriozitet kulturor dhe një arsye personale dhe më tepër ishte si një ndryshim. Duke qenë Norvegjia një vend më afër familjes, unë shkova për një konkurs pune, dhe pas kësaj fillova, sepse ishte për mua edhe një kuriozitet profesional të shihje sesi luhej muzika në Europë, por më pëlqen edhe kontinenti.

Po në Gjermani si shkuat, cilat ishin arsyet?

-Unë jam një nga violinat e dyta në Orkestrën e Mynihut dhe duhet t’ju them se Gjermania është ëndrra për të punuar për të gjithë orkestrantët. Të jesh në një orkestër gjermane është një ëndërr e shumë muzikantëve, dhe për mua ishte një ëndërr një aktiviteti intelektual, të cilën unë e ndoqa.

Përveç ardhjes tuaj në Tiranë për këtë festival, ëndërroni të vini herë tjetër në Shqipëri?

-Nuk e ke idenë se sa e ëndërroj këtë. Mendoj se kjo është edhe ëndrra e të gjithë muzikantëve shqiptarë për t’u kthyer në Shqipëri, jo për t’u kthyer në mënyrë permanente, por të dhënë atë që kanë dhe për të qenë këtu. Në fakt, ngaqë kam qenë njeri i hapur ndaj të gjitha eksperiencave kam dëshirë t’i sjell këtu në vendin tim. Madje, edhe në drejtimin intelektual, ku diskutojmë lidhjen midis artit dhe muzikës në Amerikë; ne shpesh ftonin një profesor nga letërsia apo fushat e tjera dhe diskutonin lidhjen midis muzikës e tekstit në këngë, lidhjen me tekstin në opera ose me muzikën në opera, ose Lufta e Parë Botërore nëpërmjet muzikës. Diskutonim tema nga realizmi socialist, ose prezantohej arti i atyre kombeve të vegjël si Shqipëria. Për mua është një ëndërr që gjithë eksperiencat që i kemi marrë tri ndajmë në forma të ndryshme në vendin tonë dhe me artistët shqiptarë.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?