Victor Osimhen do të vazhdojë karrierën e tij në Superligën turke te Galatasaray. Pas një “telenovele” të gjatë merkatoje, klubi turk ka arritur më në fund marrëveshjen me Napolin, duke plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga presidenti Aurelio De Laurentiis.
Sipas detajeve të zbuluara nga mediat italiane dhe turke, Galatasaray do të paguajë 75 milionë euro për kartonin e lojtarit, 40 milionë euro menjëherë dhe pjesa tjetër prej 35 milionë eurosh deri në vitin 2026. Një element kyç i marrëveshjes është klauzola anti-Itali, e cila ndalon Galatasarayn të shesë Osimhen te ndonjë klub italian të paktën deri në vitin 2027. Në rast shkeljeje të këtij kushti, çmimi i kartonit të lojtarit do të dyfishohej, duke arritur në 150 milionë euro.
Osimhen u largua nga Napoli pas një sezoni të vështirë, i shoqëruar nga polemika dhe një pezullim i përkohshëm. Pas një huazimi të detyruar te Galatasaray, sulmuesi i njohur do të ketë një faqe të re në karrierë, ku do të veshë fanellën e turqve për dy sezonet e ardhshme, por këtë herë si pjesë fikse.
Ndërkohë, Napoli ka reaguar menjëherë në merkato për të zëvendësuar nigerianin. Klubi ka arritur marrëveshje me Udinesen për Lorenzo Luccën, i cili i bashkohet ekipit në formë huazimi për 9 milionë euro, me detyrim blerje për 26 milionë euro në fund të sezonit.
Komente
