Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka dekretuar zyrtarisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan.
Ajo e cilëson këtë hap të rëndësishëm për Kosovën dhe raportet me Selinë e Shenjtë
“Pas dy vitesh pune intensive me Selinë e Shenjtë, kam dekretuar formalisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë. Ky është hap i rëndësishëm për Kosovën dhe raportet tona me Selinë e Shenjtë, të cilat do të vazhdojmë t’i thellojmë”, njofton presidentja përmes një postimi në Facebook.
Vatikani ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Në janar të 2023 gjatë vizitës në Vatikan Osmani i tha Papës se synimi i Kosovës është njohja nga Vatikani.
"Njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë sonë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në thellimin dhe avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore, si dhe në rrugën evropiane të vendit tonë”, pat deklaruar ajo.
Ssipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, sa i përket misionit të posaçëm thuhet se ai është një “mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme,të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës”.