Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës
Në komunikatën e presidencës thuhet se Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe siç thuhet aty, është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në arsyetimin e presidentes Osmani thuhet se në ligjin për Këshillin e Sigurisë, funksionimi i këtij mekanizmi gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme është lënë tërësisht i patrajtuar, duke tërhequr vërejtjen se boshllëqet ligjore në këtë aspekt mund të shkaktojnë pasoja.
Në vendim thuhet po ashtu se rregullimi ligjor i funksionimit të Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme është posaçërisht i rëndësishëm për shkak të tendencave për destabilizim të vendit nga ana e Serbisë.
“Akti i agresionit të shtatorit 2023 është tregues i qartë se Serbia dhe struktura politike aktuale e saj nuk është e interesuar për paqe as fqinjësi të mirë, gjë që përbën kërcënim të vazhdueshëm ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Kosovës”, thuhet në vendim
Po ashtu, presidentja ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend edhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.