Osmani: Mund ta zbatojmë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit, me garanci nga partnerët

15 Nëntor, 15:47| Përditesimi: 15 Nëntor, 15:51

  • Share

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani konsideron se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo thotë se deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete për një gjë të tillë. E para e shtetit për KosovaPress thekson se pa miratimin e një akti juridik nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian askush nuk mund ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

'Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008... Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”, tha ajo.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se nuk mund të kërkohet zbatimi i detyrimeve të dala nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit vetëm për Kosovën, derisa Serbia formalisht është tërhequr nga marrëveshja në fjalë.

Sa i takon miratimit të projektligjit për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë nga qeveria serbe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani veprimet e tilla i ka konsideruar si taktika të Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

Sipas saj, Serbia nuk ka asnjë juridiksion as gjyqësor dhe as territorial mbi Kosovën që nga viti 1999. Madje, thekson se  i vetmi shtet që ka  juridiksion mbi territorin e vendit është Republika e Kosovës.

Po ashtu, e para e vendit thekson se Serbia përmes miratimit të projektligjeve të tilla, sikurse ajo për juridiksionin juridik serb në Kosovë është tregues i fuqishëm se nuk dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Sipas saj, me tentativa të tilla, shteti serb po tenton të zgjerojë listën e njerëzve të Kosovës që i arreston dhe bllokon në kufi.

Në fund të muajit tetor, qeveria e Serbisë ka miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë. Ky veprim i shtetit serb ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve. Bashkimi Evropian tha se Serbia me këtë ligj shkel obligimet e dala nga dialogu. Mospajtime pati edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti veprimin e Serbisë e pati konsideruar armiqësor e agresiv ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës./Kosovapress

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?