Politikë

'Përballja' Rama-Meta në Kushtetuese për emërimin e ministrave, përfaqësuesja e qeverisë: Presidenti cënoi kompetencat e kryeministrit! Dervishaj: S'qëndron pretendimi

18 Maj 2021, 07:46| Përditesimi: 18 Maj 2021, 16:23

  • Share

Është zhvilluar sot seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese për përballjen e parë institucionale mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, për çështjen e mosmarrëveshjes së kompetencave për dekretimin e ministrave.

Sipas përfaqësueses së Këshillit të Ministrave, Elira Kokona, Meta refuzoi dekretimin e ish-ministrit Cakaj jashtë çdolloj kompetence. Për Kokonën, Meta nuk kishte tagër për të refuzuar dekretimin e Cakajt dhe Ramës. Siç raporton gazetari Sokol Dema këshilltari i Presidentit Bledar Dervishaj ka thënë se konflikti institucional nuk ekziston dhe se sipas tij pretendimi për uzurpim kompetencash të Kryeministrit nuk qëndron.

Seanca ishte planifikuar që të zhvillohej me 25 mars, por për shkak të infektimit me Covid të anëtarëve të gjykatës Kushtetuese u shty. Kjo padi është depozituar nga Rama pas përplasjes me Metën për mosdekretimin e ish-ministrit të jashtëm Gent Cakaj. Meta në atë kohë refuzoi të dekretojë Cakajn i cili mbajti postin e ushtruesit të detyrës ndërsa ministër i jashtëm me dekret ishte vetë kryeministri Rama. Kjo është përballja e parë e dy liderve në gjykatë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Përpara zgjedhjeve ka pasur vazhdimisht përplasje në distancë mes tyre, pasi presidenti dhe kryeministri e kanë parë 25 prillin në këndvështrime të ndryshme. Edhe pse e tha si premtim se do të dorëheqet nga pozicioni i Presidentit të Republikës nëse Rama fiton 71 mandate, Meta nuk e mbajti fjalën. Pasi PS fitoi zgjedhjet, Meta doli në një deklaratë për shtyp nga Presidenca dhe ka folur sikur të mos kishte hedhur akuzat më të rënda për procesin zgjedhor por e përshëndeti atë. Meta tha se tashmë duhet reflektuar deri në shtator. Ndërkaq edhe Vlora ka qenë një nga zonat që u kthye në barut ndezës mes debatit të tyre.

 

Ora 13:32
Përballja në Kushtetuese/ Përfaqësuesi i Metës: S'ka patur uzurpim kompetencash të kryeministrit nga presidenti dhe as mosmarrëveshje

1621337711_autoBledarDervishaj21560440051.jpeg

Gjatë shqyrtimit të kërkesës së kryeministrit Edi Rama për mos-dekretimin e Gent Cakajt  si ministër i Jashtëm, në Gjykatën Kushtetuese, Këshilltari i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj tha se konflikti institucional nuk ekziston. Sipas tij pretendimi për uzurpim kompetencash të kryeministrit nuk qëndron. Këtu shton se presidenti sipas tij as nuk ka dhe as nuk ka patur mosmarrëveshje institucionale me kryeministrin.

“Këshilltari i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj: Konflikti institucional nuk ekziston. Presidenti Meta ia bëri të qartë edhe në një takim Kryeministrit Rama që të rikonsiderojë propozimin e Gent Cakajt. Pretendimi për uzurpim kompetencash i Kryeministrit nuk qëndron. Presidenti as nuk ka dhe as nuk ka patur mosmarrëveshje institucionale me Kryeministrin. Duhet të rikthehemi në kontekstin e kohës, kur pati deklarata për korrektimin e kufinjve dhe më pas protesta. Cakaj është shprehur për këtë çështje. Ne i ndoqëm me vëmendje dhe në këtë kohë na erdhi propozimi për ndryshimin e kabinetit qeveritar. Nuk nxori dekret, sepse nuk u bind. Me dekret nuk mund të vepronte, sepse dekreti del ose për emërim ose për shkarkim”, tha Dervishaj.

Ora 10:59
Përballja Meta-Rama në Kushtetuese, përfaqësuesja e qeverisë: Presidenti cenoi kompetencat e Kryeministrit

Gjykata Kushtetuese ka nisur seancën me kërkesë të kryeministrit Edi Rama për mos-dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, dy vite më parë nga Presidenti Meta. Në këtë mbledhje përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona, ka deklaruar se presidenti Meta refuzoi dekretimin jashtë çdolloj kompetence duke cënuar kështu parimet e parlamentarizmit. Për Kokonën, Meta nuk kishte tagër për të refuzuar dekretimin e Cakajt dhe Ramës.

"Ilir Meta e refuzoi dekretimin e Gent Cakaj, si minister I Jashtem, duke arsyetuar se ka mungese pervoje. Pas kësaj, Rama ka kërkuar të dekretohet vetë si MJ. Në 18.01.2019 është dekretuar nga Meta si Ministër i Jashtëm. Presidentit refuzoi dekretimin jashtë cdo lloj kmpetence, jashtë çdo kompetence që i jep Kushtetuta dhe cënoi rëndë parimet e parlamentarizmit. Kërkesa ka si qëllim rregullimin e mosmarrëveshjes së krijuar në rastin konkret.

Presidenti ka tagër kushtetues për të bërë vleresim të emrit që propozohet për Ministër, por as tagër për të refuzuar dekretimin.Të drejtën për të vlerësuar kandidatin e ka vetëm Kuvendi dhe nuk mund t'a ketë Presidenti. Presidenti ka rol formal dhe solemn. Kryerja e verifikimeve për një afat 10 ditor dhe dhënia e një mendimi për kandidatin, janë atribute që i përkasin Kuvendit, por Presidenti i mori këto atribute duke penguar Kuvendin. Ilir Meta i lejoi vetes të shprehet përmes një shkrese duke vepruar në një formë tjetër që parashikon kushtetuta, sikurse është dekreti", tha ajo.

Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, sjell shembullin e dekretimit të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm. Sipas Kokonës në atë kohë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekretuar emërimin e Xhafajt si ministër, pavarësisht se dha publikisht opinionin e tij personal në lidhje me mendimin e tij për figurën e Xhafajt. Të njëjtën gjë, sipas Kokonës, nuk ka arritur t'a bëj Presidenti Ilir Meta, i cili përmes mendimeve individuale ka vendosur të mos e dekretoj si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakajn. Sipas Metës, Cakaj nuk ka plotësuar kushtet për të marrë këtë detyrë.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Marsi: 18/05/2021 08:28

    PD duhet ta drejtoje nje njeri me tjeter qasje jo te kesaj prerje qe ka patur keto 30 vjet.Nje njeri qe te kete ne deje bashkepunimin jo ndarjen per te miren e vendit dhe vizion qytetar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Komisioni Hetimor për Shëndetësinë do të prodhojë rezultat?