Pandemia 'gjunjëzon' buxhetin, 22% më pak tatim-fitimi...MFE: Në janar-mars të ardhurat tkurren 4%

15 Prill 2020, 13:38| Përditesimi: 15 Prill 2020, 15:09

  • Share

Ndonëse bllokimi i lëvizjeve të qytetarëve nga shkaku i pandemisë së koronavirusit ka filluar në mars, i gjithë rezultati i tremujorit të parë rezulton negativ ndaj një viti më pare në buxhetin e shtetit. Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në periudhën janar-mars 2020 në arkën e shtetit janë arkëtuar 22 për qind më pak të ardhura nga tatimfitimi i ndërmarrjeve, ndërsa deficiti buxhetor u rrit me 47 mln euro.

Në total, të ardhurat buxhetore për tremujorin e parë janë 104 miliardë lekë, me një ulje 4% ndaj së njëjtës periudhë të një viti më parë, kur ishin arkëtuar në total 108.2 miliardë lekë. Përveç tatimfitimit, edhe tatimi mbi të ardhurat personale shënon një ulje në masën 9.8 për qind, raportojnë Financat.

Pushteti vendor është goditur rëndë, me një realizim në të ardhurat vendore prej 17.8 për qind më pak se në tremujorin e parë të 2019-ës, ndërkohë që kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kanë pësuar ulje vetëm 0.6%.

TVSH-ja rezulton 1.5 për qind më pak se një vit më parë, ndërsa akcizat në të kundërt janë në rritje 3.8%.

Banka e Shqipërisë ka transferuar në buxhetin e shtetit gjatë këtyre tre muajve nga fitimi i saj një shifër prej 1.4 miliardë lekësh, që është 2.4 herë më e lartë se ajo e një viti më parë.

Sa u përket shpenzimeve, investimet kanë shënuar një rritje të ndjeshme, në masën 16.3 për qind, duke kaluar nga 9.3 miliardë, në 10.8 miliardë lekë.

Diferenca e madhe mes shpenzimeve dhe të ardhurave këtë tremujor kanë bërë që bilanci buxhetor të kërcejë nga një suficit prej 3.8 miliardë lekësh një vit më parë, në një deficit prej 2.2 miliardë lekësh, duke shënuar kështu një regres prej afro 47 milionë eurosh.

Në periudhën janar-mars dy muajt e parë nuk u prekën nga situata e koronavirusit.  Problematika buxhetore pritet të rëndohet shumë më tepër në tremujorin e dytë.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Neri: 15/04/2020 14:32

    Po 2019 hyri tmerrsisht dobet kriza ka 1 vit qe ka fillu Termeti dhe tani Kovid 19 po i japin goditjen finale. Qeveria me skandaloze ne drejtimin e ekonomise, |Shif ministren e financave totalisht e paafte nje nga shum kukullat e Rames , Cfar pret.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?