Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Pandemia po mban peng ekonominë e prodhimin! Sejko: Inflacioni ka ndarë në dy grupe akademikët, disa e shohin të rrezikshëm

6 Dhjetor 2021, 16:28| Përditesimi: 6 Dhjetor 2021, 16:31

  • Share

Pandemia COVID-19, po mban peng rritjen e prodhimit dhe rimëkëmbjen e plotë të ekonomisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në workshop-in e 15 të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, u shpreh se pandemia po sjell një rritje të shpejtë të çmimeve për shkak të kufizimeve në prodhim.

“Ashtu siç parashikuam në workshop-in e vitit të kaluar, pasiguria e lartë për prodhimin dhe shpërndarjen janë faktorë që mbajnë peng rimëkëmbjen. Pandemia duket se ka ngritur barriera për globalizimin dhe kjo pritet të ketë efekte të rëndësishme në ekonomi. Kombinimi i këtyre dy efekteve e ka dhënë ndikimin e vet të menjëhershëm te çmimet, duke nxitur rritjen e inflacionit si pasojë e këtyre efekteve të ofertës. Megjithatë, ky nuk është një konkluzion i qartë. Jo pak zëra nga bota akademike dhe ajo e bankingut qendror mendojnë se inflacioni mund të jetë efekt edhe i politikave ekspansioniste të bankave qendrore. Natyrisht qëndrimet e kundërta vijnë si rezultat edhe i paqartësive mbi efektet, gjeografinë dhe masën me të cilën pandemia ka prekur ekonomitë”, pohoi Guvernatori Sejko.

Guvernatori ka theksuar se ende duhen studiuar pasojat e pandemisë pasi ka ekspertë botëror që mendojnë se rritja e inflacionit është e rrezikshme, ndërkohë që ekspertë të tjerë thonë se rritja e çmimeve është e përkohshme.

“Zhvillimet e fundit inflacioniste i kanë ndarë akademikët dhe bankierët qendrorë në dy kampe që mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta. Në njërën anë janë ata që mendojnë se inflacioni aktual është një fenomen i rrezikshëm që rrezikon të nxisë një situatë inflacioniste e rrjedhimisht kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme për të zhbërë politikat e bilancit e rritjen e normave të interesit. Në anën tjetër, qëndron grupi i cili mendon se zhvillimet aktuale të inflacionit janë fenomene të përkohshme, të nxitura nga problematikat e ofertës që reflektojnë efektet negative të pandemisë. Kuptohet që këto pikëpamje diametralisht të kundërta ndërmjet ekonomistëve tregojnë se puna për përmirësimin e modeleve të inflacionit nuk duhet të ndalet, sidomos kur edhe pas gjithë këtyre viteve pune dhe kërkimi për njohjen e fenomenit të inflacionit përsëri kemi dyshime dhe qëndrime të dyzuara”, tha Sejko.

Aktualisht gjithë bota është përfshirë nga një valë e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe jo vetëm, pasi kriza e energjisë ka nisur në bursën ndërkombëtare.

Ky workshop i organizuar për të 15-in vit nga Banka e Shqipërisë, synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga banka gjatë vitit 2021, dhe punët e kolegëve dhe kërkuesve nga bankat qendrore dhe universitetet prestigjioze brenda dhe jashtë vendit.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?