Papa Françesku ka punësuar një infermier personal për t'i shërbyer nga ana shëndetësore, deklaoi Vatikani të enjten, gjë që është tregues që Papa pranon se do të ketë nevojë për më shumë kujdes ndërsa vitet kalojnë.
Papa 85-vjeçar tha për gazetarët të shtunën se mosha e tij e madhe dhe vështirësia që ka për të ecur ka sjellë një fazë të re, më të ngadaltë të papatit të tij.
Në një deklaratë të enjten, Vatikani tha se asistenti personal mjekësor i Papës është Massimiliano Strappetti, koordinator i infermierëve dhe objekteve shëndetësore të Vatikanit, një shtet sovran brenda Romës.
Pozicioni i "asistentit personal mjekësor" nuk ekzistonte më parë në këtë papat, megjithëse Papa Gjon Pali II, i cili vdiq në vitin 2005, kishte një sërë kujdestarësh mjekësorë në vitet e fundit të jetës së tij.
Papa Françesku iu nënshtrua një operacioni në zorrë një vit më parë. Kjo ishte hera e parë që Papa ishte shtruar në spital që nga zgjedhja e tij në 2013.
Muajt e fundit, Papa Françeskut i është dashur të përdorë karrige me rrota, ose bastun për shkak të dhimbjes së gjurit të shkaktuar nga një frakturë e vogël.
"Mendoj se nuk mund të vazhdoj të bëj udhëtime me të njëjtin ritëm si më parë," tha ai për gazetarët të shtuar, pasi ishte kthyer nga Kanadaja.
"Në moshën time dhe me këtë kufizim më ecje që kam më duhet të ruaj pak forcën në mënyrë që të jem në gjendje t'i shërbej Kishës, ose të vendos të largohem", shtoi Papa.
Në një intervistë me Reuters muajin e kaluar, Papa Françesku përsëriti qëndrimin e tij të deklaruar shpesh se ai mund të jepte dorëheqjen një ditë nëse problemet shëndetësore ia bënin të pamundur drejtimin e Kishës.