Ndeshje e çmendur dhe me shumë emocione por në fund Roma dhe Interi ndahen në “paqe” 2-2 me zikaltërit që mbajnë vendin e dytë por sigurojnë kualifikimin në Champions. De Vrij kaloi djemtë e Contes në avantazh por më pas verdhekuqtë do të barazonin me Spinazzola dhe vendasit do të merrnin edhe avantazhin falë golit të armenit Mkhitaryan duke e kthyer fatin e ndeshjes. Gjithsesi Lukaku do të shpëtonte Interin nga humbja duke barazuar me penallti.
Napoli me shumë vështirësi përmbysi Udinesen duke fituar 2-1. Miqtë marrin shpejt avantazhin me golin e De Paul por djemtë e Gatusso-s barazuan që në pjesën e parë me polakun Milik. Goli i fitores erdhi në minutën e 94-të nga Politano pas një pasimi gol të Hysajt.
Real Madrid i shpallur kampion i La Ligas pak ditë më parë e mbylli sezonin me një barazim 2-2 ndaj Leganes ekip që më pas zbriti një kategori më poshtë. Sergio Ramos dhe Asensio tundën rrjetën për Los Blancos.
Pas turpërimit me Osasunën dhe polemikave të shumta Barcelona e mbylli me manita edicionin. Katalanasit fituan 5-0 ndaj Alaves në transfertë me dy gola të Messit dhe nga një shtuan Ansu Fati, Suarez dhe Semedo.
Real Sociedad morri pikën që i duhej për në Europë ndaj Atletico Madrid. Koke i dha avantazhin skuadrës së Simeones por miqtë barazuan me një autogol në duelin e mbyllur 1-1. Atletico e mbyll edicionin e treta.
Ndërkaq finalja e FA Cup e këtij edicioni do të jetë Chelsea-Arsenal. Blutë e Londrës asfaltuan Manchester United duke fituar 3-1/ Përgatiti Andi Kapxhiu.