Gramoz Ruçi dhe Sali Berisha

Opinion

Paradokset e dy Kongreseve: PS bën analizën sa vota humbi, PD 'feston'! Gramoz Ruçi largohet, Sali Berisha 'përjetësohet'

20 Korrik 2021, 21:20| Përditesimi: 20 Korrik 2021, 21:23

  • Share

Në pak më shumë se një muaj u zhvilluan dy kuvende të rëndësishme; Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste më 12 qershor dhe Kuvendi i Partisë. Demokratike më 17 korrik. Ndonëse dy ngjarje të ndryshme, ato dhanë një mesazh të qartë në publik: PS-ja mbetet parti e parë, ndërkohë PD është dhe do mbetet parti e dytë. Për të kuptuar këtë nuk është e nevojshme të analizohen thellë këto dy evente.

Nuk ka përse të nxjerrësh në pah faktin që pati më shumë analizë për mandate të humbura në Kongresin e PS-së sesa në atë të PD-së. As të vëresh faktin që PS-ja doli edhe më e bashkuar nga Kongresi i saj, kurse Kuvendi shërbeu për ta përçarë edhe më tej PD-në.

Mjafton të shohësh dy lajmet kryesore që prodhuan këto dy ngjarje që vulosën perceptimin qytetar. Lajmi që prodhoi Kongresi i PS-së ishte dorëheqja e Gramoz Ruçit. Lajmi kryesor që prodhoi në publik Kuvendi i PD-së ishte pritja me brohoritma e Sali Berishës pasi u vendos në listën e zezë nga SHBA-të.

Këto dy lajme prodhuan një mesazh të vetëm. PS-ja në pushtet është e gatshme të ndryshojë dhe rinovohet, sado në mënyrë sipërfaqësore. PD-ja në opozitë është e gatshme të mos ndryshojë asgjë edhe pas një humbje të thellë.

Ishte pikërisht ky fakt që prodhoi tronditje dhe zhgënjim nga Kuvendi i PD-së si brenda dhe jashtë saj. Ajo që habiti shoqërinë, dhe që zgjoi nga mpirja mendore edhe disa nga demokratët më të guximshëm, është fakti që Kuvendi prodhoi një PD identike me atë që humbi përballë Ramës jo vetëm më 25 prill të 2021, por edhe më 2017.

Sot, ashtu si dje, PD-ja është një parti e kapur nga kryetari i saj Basha me bekimin e liderit historik Berisha, që e përdor partinë si mburojë për familjen e tij. Edhe pse Basha humbi më 25 prill dhe Berisha u fut në listën e zezë të korrupsionit dhe antidemokracisë nga SHBA-të. E megjithatë, Kuvendi prej struci i PD-së vendosi të fusë kokën në rërë dhe të pretendojë, përballë një shoqërie gojëhapur, se këto ngjarje nuk kanë ndodhur.

Ndaj brohoritmat “Berisha, Berisha” në PD sot të kujtonin brohoritmat “Enver, Enver” në kongresin e themelimit të Partisë Socialiste në vitin 1991 gjatë fjalimit të Dritëro Agollit, që guxoi të kritikonte liderin historik të punistëve. Edhe atëherë një pjesë e mirë e anëtarësisë së PP-së refuzonte të pranonte atë që shoqëria e dinte, se lideri i tyre historik kish rënë e duhej lënë pas.

Vetëm se në kuvendin e PD-së nuk kish asnjë Dritëro. Vetëm Bardh Kadilli dhe Mark Marku patën guximin të thoshin disa të vërteta që tashmë i di e gjithë shoqëria shqiptare. Por edhe ata nuk mundën të përmendin, dhe aq më pak të distancoheshin, nga “elefanti në dhomë” që brohoritej nga një pjesë e mirë e anëtarësisë.

Është e njëjta anëtarësi që kërkon arrestimin dhe dënimin e Edi Ramës si i korruptuar, edhe pse ky i fundit nuk ka pushkatuar protestues në mes të Tiranës për të mbrojtur korrupsionin e aleatit të tij në qeverisje, nuk ka një djalë që është pasuruar duke hedhur në erë fëmijë dhe qytetarë të thjeshtë, dhe nuk është në listën e zezë të SHBA-ve. Imagjinoni ç’do thoshte PDja nëse Rama do ish Berisha.

Kaq mjafton për të kuptuar se përse PD ishte dhe mbetet parti e dytë. Insistimi i saj për të mbetur njësoj përballë një shoqërie që ndryshon me ritme marramendëse do t’i garantojë asaj jo vetëm vendin e dytë, por ndoshta edhe të tretin apo të katërtin në skenën tonë politike.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • DYBEK REXHEP KASAP BULE LEKA [ KEPI ]: 21/07/2021 11:18

    Ore po është normale Gramoz Ruçi nuk është kriminel por burr i vërtet. Kurse saliu është kriminel hajdut prandaj dhe nuk largohet nga politika. Jan fakte të pa kundërshtushme. Po megjithatë plaku mere salmut i ka dit e numuruara.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?