Në Tiranën e ngeshme të së dielës u zhvillua parada e radhës e LGBT-ve. Kronikat e televizorëve thanë se çdo gjë shkoi së mbari. Unë them se u shkoi dëm. Dështimi erdhi nga një fakt i thjeshtë, që as organizatorët, as ambasadorët, as pjesëmarrësit, as ata që rrojnë me projekte, as ata që rrojnë me atë punë, e as gjithë ata që prisnin të kish fërkime, nuk e dinë.
Për fatin e keq të të gjithë këtyre, shqiptarët as që kanë qenë ndonjëherë homofobë. Ka qenë diktatura e tillë, por jo shqiptarët. Diktatura ishte homofobike, siç ishte fobike edhe ndaj çdo gjëje që dilte nga skema standarde e jetës së tharë nga çdo variacion, por jo shqiptarët.
Të gjithë besoj e kujtojmë kur ishim të vegjël dhe nuk e pranonim që xhaxhi Enver të kishte fëmijë, sepse kjo do të thoshte që kishte bërë seks dhe asokohe edhe seksi kish filluar të ishte “gjë turpe” e jo më dylberllëku që ishte bërë turp me kohë e vakt.
Vetë osmanët nuk ishin homofobikër. Perandoria Osmane, si të gjitha perandoritë, në vetë thelbin e tyre janë të hapura dhe liberale. Në veçanti pastaj, perandoritë e Lindjes e kishin edhe më të zhvilluar këtë tendencë homofilike, që s’del vendi këtu të shpjegohet pse e si.
Historitë me dylberë e çuna të bukur, janë të pafundme në folklorin tonë, por u spastruan pa gjurmë pas viteve ’50. Historitë e Elbasanit e të Kavajës, edhe ato janë të pafundme në kujtesën tonë historike dhe folklorike, por u spastruan dhunshëm nga Diktatura, duke u mbetur pas vetëm një kujtim i deformuar.
Këngët e ashikëve e të dylberëve nuk numëroheshin, por u harruan se as që bëhej fjalë që të toleroheshin nëpër shfaqjet e festivalet folklorike të kontrolluara ideologjikisht nga ca injorantë të tjerë politikë të asaj kohe.
Thotë njëra syresh e Shqipnis së Mesme:
“Ç’po na vjen nji vark me vela,
thon se ka manifaktur.
Qenka mbush o me dylbera,
Jalla zot shkarkofshin ktu”.
Homofobia lidhet në radhë të parë me një qëndrim moral dhe fetar shumë të strukturuar e të fortë, por në ka gjë që shqiptarëve u mungon e për të cilën nuk bëhen merak, është feja. Një shqiptar fetar duket qesharak.
“Cun cun,
gusha si pllum” – më vjen në mendje një tjetër këngë dylberësh.
Kushdo mund ta marrë lehtë me mend se ç’ndodhte brenda mureve të kazermave të jeniçerëve a içogllanëve të kohës kur atje kalonte edhe Gjergji-peng, ku djemtë e rinj stërviteshin e mundeshin mes tyre lakuriq.
Evlia Çelebia, që e gjezdisi Shqipërinë e poshtme deri në Berat në mes të shekullit XVII, s’lë qytet ku ka vajtur pa vënë në dukje se pa qoshqe ku çuna të bukur recitonin e argëtonin burrat e ngeshëm.
Martin Leake, në fillim të shekullit XIX, i bie krye e tërthor pashallëkut të Ali Pashës dhe, në më tepër se një rast flet për çunat e bukur që rrinë ulur divaneve në paradhomat e të mëdhenjve.
Pak a shumë në të njëjtën kohë, lord Bajroni, homoseksual i deklaruar, e ndjeu në shpirt ndarjen me shërbëtorin shqiptar dervish Tahirin. Dhe, aq shumë ia kish parë hairin lordit, sa kur u ndanë, djaloshi i gjorë– kujton Bajroni – qante me dënesë dhe thoshte “oh, më braktisi!”.
E dini për shembull që edhe kënga e famshme “A kan uj’ ato burime”, gjynah mos paça, në origjinë ka qenë këngë dylberësh, e që e kanë “purifikuar” më pas, në kohë të Komandantit. Dy vargjet e para të këngës, nga një disk gramafoni i viteve ‘20 i zbuluar nga Auron Tare, fillojnë kështu:
“Kishin uj ato burime,
dylber i lalës, aman, amane”.
Ndër fiset e Veriut, deri vonë në fillimet e shekullit XX, bëheshin konkurse bukurie mashkullore. E di që shumë prej atyre që më dëgjojnë, kjo u duket si e sajuar, por injoranca nuk është argument. E shkruajnë dhe e përshkruajnë pafundësisht udhëtarët e atyre anëve.
Rheinolds më 1855, në "Noctes Pelasgicae" sjell të tjera këngë të tilla, kësaj rradhe ndër arvanitët e Jugës:
"Ç’ke ti dilber me mua,
se të keqenë s’të dua?
Djalë kur djersin nga vapa,
si djathë që del nga napa”.
Baroni Franz Nopcsa, një tjetër studiues i shqiptarëve, edhe ky homoseksual i njohur, shkon edhe më tej në fillim të shekullit XX, kur nuk ngurron të fotografojë shqiptarët që rrinin lakuriq pa asfare droje.
Ah, se më sollën edhe një tjetër:
“Suleimani vjen nga pusi,
zu Avdullin dhe e puthi".
Më vijnë ndërmend kujtimet e një bashkëkohësi që fliste për repartet kosovare të mobilizuara nga qeveritë kolaboracioniste të Tiranës në kohë të Luftës II Botërore. Ai kujton se gjatë kontrolleve që bënin nëpër shtëpi e banesa kundër partizanëve, ata (kosovarët pra) flisnin e kërkonin për çuna të bukur. Në fakt, te kosovarët komponentja myslimane dhe lidhjet me Turqinë ishin më të forta dhe kjo kujtesë ishte më e ndjeshme tek ata sesa midis shqiptarëve të këtejmë.
Vetë fjala “bythë” deri në vitet ‘20-‘30 ishte fjalë normale e gjuhës, e përdorur pa ngarkesën emocionale të kohëve moderne. Bythëderr, në bythë të rrapit etj.
E pra ky ka qenë mjedisi shqiptar i shekujve të fundit, i çlirët seksualisht, që notonte në një lloj homoseksualizmi naiv, të qenësishëm, por të paidentifikuar. Një lloj joshjeje homoseksuale, më tepër erotike sesa seksuale.
Në këtë hesap, islamikët shekullarë a fetarë, që demek protestojnë kundër LGBT-ve, nuk duhen vënë fare në hesap. Ata nuk kanë kurrfarë lidhjeje historike dhe vijimësie me myslimanizmin tradicional shqiptar, por janë një segment i importuar i islamit të shpëlarë që sillet “copy paste” sot nga qendrat fundamentaliste të Lindjes. Mjafton që të zhduken apo reformohen ato qendra dhe automatikisht do të reformohen edhe këta myteberët tanë.
Pastaj s’do harruar se këta islamikët që shpallen kundër LBGT-ve, janë në fakt edhe shpresa e fundit e tyre për mbijetesë. Kësaj të diele askush nuk ia vari paradës së tyre. Askush nuk i shau, askush nuk doli t’i përkrahë, askush nuk bëri kundërprotestë, as shkrime nuk pati për ta a kundër tyre. Kjo do të thotë se të gjitha shoqatat që kanë shtënë ndër kthetra kauzën, e që kanë 20 e kusur vjet që marrin projekte europianësh për të drejtat e tyre, rrezikojnë të mbeten pa punë.
Normalisht që këta, akaparuesit e kauzës, do të duhej të gëzoheshin nga këto që po shkruaj unë, nga kjo lloj parajse e dikurshme e tyre në këto troje, por kjo ka një të keqe, i lë pa punë dhe projekte sot. Dhe për t’i dalë përpara kësaj parajse të padashur, kanë vetëm një udhë: bëhen agresivë, imponues, posesivë, arrogantë dhe detyrues. Agresivë, se po t’u thuash një fjalë, të hidhen në fyt; po të duash të thuash një mendim, të mbyllin gojën dhe të imponohen; po të mos ua varësh, e shtojnë zullumin duke dalë nëpër rrugë dhe duke u bërë gjithnjë e më provokativë; posesivë, se po tentove debat rrezikon të damkosesh; detyrues, se tashmë nuk mund të thuash më asgjë rreth tyre, se është e ndaluar edhe me ligj.
Unë sot rrezikoj të bëhem armik me të dyja palët. Edhe me LGBT-xhinjtë, se po ju heq bukën e gojës, edhe me miletin se po ju them se bën vaki t’i kenë pasur gjyshërit e stërgjyshërit qejflinj.
AL.
Ps. Do ftoja ndonjë përkthenjës, që miqësisht t`i kthente në inglizçe ca nga këto këngë të popullit tim dhe jam i bindur që ambasadorë e ambasadoresha, në paradën e vitit tjetër do mund ta përshëndesin paradën në gjuhë të Shekspirit:
“Boy, boy,
your neck, like a dove”.
Në foto: Malsorë shqiptarë duke kapërcyer Drinin. Rreth 1905, autor baron Franc Nopcsa.
Shkrimi është ribotim nga gazeta Shqip e datës 19.05.2015