Negociatat/ Paralajmërimi i qeverisë: Të pandehurit për korrupsion do të rriten me 5% në 2019

7 Prill 2019, 07:10| Përditesimi: 7 Prill 2019, 07:20

  • Share

Krijimi i një historiku solid me hetime, ndjekje penale dhe dënime për korrupsion, sidomos në nivele të larta, është një ndër pesë kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Në kuadër të përpjekjeve për realizimin e këtij objektivi, qeveria shqiptare paralajmëron rritjen me pesë për qind të numrit të të pandehurve për veprat penale të korrupsionit, gjatë vitit 2019. Në raportin e monitorimit të zbatimit të strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit për vitin 2018, janë përcaktuar edhe objektivat për vitin 2019 dhe 2020, duke parashikuar rritjen e numrit të çështjeve dhe të pandehurve të dërguar në gjykatë me pesë për qind në 2019 dhe me 5 për qind të tjera në 2020, krahasuar me vitin pasardhës. Raporti është hartuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion.

“Objektivat për t’u arritur në 2019 dhe 2020 janë: rritja me 5 % krahasuar me vitin paraardhës e numrit të çështjeve dhe pandehurve të dërguar në gjykatë; rritja me 5 % krahasuar me vitin paraardhës e numrit të çështjeve dhe pandehurve të dërguar në gjykatë. Hetimet, të zbatuara nga agjencitë e zbatimit të ligjit nën koordinimin dhe udhëheqjen e Prokurorisë, do të çojnë në përgatitjen e akuzës nga Prokuroria dhe paraqitjen e tyre në gjykatë. Rritja e efektivitetit të hetimeve pritet, ndër të tjera, të rritë numrin e akuzave. Një vlerësim i plotë do të marrë në konsideratë rastet dhe personat. Performanca do të vlerësohet duke matur rritjen e numrit të përgjithshëm të akuzave për korrupsion. Treguesi do të matet si nga numri i rasteve dhe numri i personave të përfshirë në akuza. Një nën-tregues shtesë përfshihet, për të vlerësuar performancën në kontekstin e veçantë të të ashtuquajturave "raste të korrupsionit në nivel të lartë”, thuhet në raport.  

Sekuestrimi i pasurive  
Në raport parashikohet një rritje me pesë për qind edhe të kërkesave për sekuestrimin e pasurive që burojnë nga krimi dhe praktikat korruptive gjatë vitit 2020. “Objektivat për tu arritur në 2018, 2019 dhe 2020 janë: në vitin 2018 të krijohet mekanizmi i raportimit të kërkesave për sekuestrim. Në vitin 2019 sistemi i raportimit do të jetë funksional dhe të dhënat do të raportohen. Në vitin 2020 të arrihet rritja e kërkesave për sekuestrim me 5 % krahasuar me vitin 2019. Sekuestrimi dhe konfiskimi i të ardhurave nga krimi paraqesin një mjet kritik represiv për korrupsionin, duke hequr stimujt financiarë për veprimtarinë kriminale. Rritja e efektivitetit të hetimeve (të cilat ndër të tjera mund të përfshijnë hetime më të mira financiare dhe procedura të gjetjes së aseteve) pritet, ndër të tjera, të rritet numri i kërkesave për sekuestrim të paraqitura nga prokuroria në gjykatë”.

Shpresat tek SPAK-u
Të gjitha shpresat dhe pritshmëritë për shembjen e murit të pandeshkueshmërisë në nivele të larta tashmë bazohen tek SPAK-u. Në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale është çdo akuzë penale kundër të gjithë zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shtetëror që nga viti 1990. Po ashtu, në kompetencë të organeve të SPAK-ut, respektivisht të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale janë të gjitha veprat penale të korrupsionit të konsumuara nga çdo shtetas. Prokuroria e Posaçme pritet të jetë funksionale brenda në fillim të verës. Ndërkaq, një komision ndërkombëtar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian do të monitorojë dhe asistojë gjatë dy viteve të para Byronë Kombëtare të Hetimit.

Ministrja Gjonaj
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka theksuar disa javë më parë se ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë do të mundësojë ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në çështje korrupsioni. “Ky është vetëm fillimi i kësaj lufte tepër të rëndësishme. Viti 2019 do të shënojë rezultate domethënëse dhe nëpërmjet ngritjes së institucioneve të reja dhe zbatimit të reformës në drejtësi që në këtë moment është e pandalshme. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë si mekanizma që do të garantojnë edhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në çështje korrupsioni do të jetë një hap shumë i rëndësishëm që do të ndihmojë në rifitimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe do të shënojë një gur themeli në luftën kundër korrupsionit”, ka pohuar ministrja Gjonaj.

Ndërkohë që në krye të raporit theksohet se ‘korrupsioni është një kërcënim për demokracinë, mirëqeverisjen, konkurrencën e ndershme, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe politik të një vendi. Ai pengon rëndë zhvillimin ekonomik, duke krijuar një sistem pabarazie, paragjykimi e nepotizmi, duke shkatërruar besimin e njerëzve tek shteti i tyre, prandaj lufta kundër korrupsionit është sot një nga sfidat parësore të çdo shteti me kulturë demokratike, vizion dhe integritet të lartë. Qeveria ka dhe do vazhdojë në mënyrë të pandalur të ketë një vullnet të palëkundur në luftën kundër korrupsionit, përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese. Përparësia e qeverisë në fushën e luftës kundër korrupsionit, përkon më së miri me kushtëzimet e vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE”.

Sfidat në luftën kundër korrupsionit

  1. Rritja e nivelit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies nga strukturat e brendshme të institucioneve përgjegjëse edhe nëpërmjet fuqizimit të koordinimit ndërinstitucional.
     
  2. Kryerja e procesit të monitorimit periodik, diskutimit të gjetjeve dhe miratimit të raporteve respektive sipas afateve të raportimit të parashikuara në Strategji.
     
  3. Rakordimi i informacionit të marrë nga pikat e kontaktit tek Drejtoritë e Financës, përpara momentit të raportimit pranë KKK.
     
  4. Ndërlidhja me procesin e planifikimit buxhetor vjetor dhe afatmesëm në mënyrë që të sigurohet mbulimi i nevojshëm financiar nga Buxheti i Shtetit për ato masa që parashikohen të zbatohen nëpërmjet Buxhetit të Shtetit.
     
  5. Sigurimi i një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent konsultimi gjatë fazave të raportimit, monitorimit dhe rishikimit të Planit të Veprimit me institucionet përgjegjëse dhe grupet e interesit.
     
  6. Informimi periodik dhe rritja e ndërgjegjësimit të institucioneve përgjegjëse të përfshira mbi rëndësinë që paraqet puna e vazhdueshme për zbatimin e duhur të Planit të Veprimit dhe raportimi mbi zbatimin e masave të PV-së.
     
  7. Adoptimi i qasjes sektoriale duhet të merret në konsideratë, edhe në kuadër të zbatimit të mbështetjes buxhetore. Ai duhet të shoqërohet me procesin paralel të ngritjes së kapaciteteve planifikuese, zbatuese dhe monitoruese të Strategjisë. Kjo do të ndihmojë në përthithjen dhe menaxhimin e asistencës teknike që partneri kryesor BE, do ti akordojë së shpejti institucioneve të përfshira në luftën kundër korrupsionit nëpërmjet mbështetjes buxhetore.

Komento

Komente

  • komenti: 07/04/2019 14:08

    5%? Cfare logjike! Kush eshte i perfshire ne afera korruptive te denohet, s’duhet te jete pjese e strategjise ti shtojme me 5% ne vit, por shteti shqiptar ka lene kryesoret pa denuar ende! Kesaj i thone hajde bejme statistika te na fusin ne BE, e te kryekorruptuarit jane ende te lire e te pacenuar aspak!

    Përgjigju
  • Lexues: 07/04/2019 09:45

    Me 5%??? I futkeni te gjithe brenda...me 75% ben pune se keshtu ne vitin 3500 mbarojme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?