Për të gjithë ata që kanë plane për fundjavën dhe jo vetëm, do të mund të shijojnë një mot me diell dhe temperatura të larta. E diela parashikohet të ketë më shumë diell sipas meteorologes së Meteoalb Adiola Bani.
“Sa i përket fundjavës paraqitet të jetë me mot të kthjellët dhe me vranësira kalimtare, jo vetëm që sot por edhe dita e diellë do të jetë me mot të kthjellët. Ndërsa sa i përket temperaturave krahasuar me mesin e javës që patëm një rënie të temperaturave dhe në vlerat minimale dhe në ato të mesdites, kemi pasur një rritje të lehtë të temperaturave duke bëre që vlerat minimale të jenë 4 ose 5 gradë celcius, ndërsa maksimumi ditën e nesërme pritet të shkojë mbi 23 gradë”, shprehet Adiola Bani.
Java do të nisë me temperatura të larta por do të ketë disa episode me reshje shiu, ndërsa temperatura të ulëta do të shënohen kryesisht në zonat veriore.
“Pritet që edhe dita e hënë të jetë me mot të kthjellët dhe e qëndrueshme, ndërsa e marta dhe e mërkura paraqiten me reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit, kryesisht në zonat qëndrore ku do të kemi një sasi të pakët, ndërsa sasinë më të madhe do ta kemi në zonat veriore”, thotë Adiola Bani.
Fundi i muajit Mars parashikohet i ngrohtë, ndërsa Prilli do të vijë me temperatura relativisht të larta, duke pasur një mot tipik pranveror.