Kemi dëgjuar shumë të flitet ditët e fundit mbi “primaret e kandidatëve të Berishës”. E thotë Basha, Gazi, Salianji, e thotë edhe ndonjë kryetar i tyre në rrethe, duke e injoruar si proces. Por Berisha i zhvilloi “primaret” dhe nxorri edhe delegatët, paçka se ata do ti bëjnë lëmsh gjithë votuesit e asaj partie. Kjo pasi ka nga ata, që njohin emrat si nga Basha ashtu edhe nga Berisha. Përplasjet e para kanë nisur qysh dje në Durrës dhe Shkodër.
Anëtarësia dhe mbështetësit po thonë “do të votojmë Ardi Mukën”, disa të tjerë thonë “kemi 30 vjet me Bardh Spahinë, do ti japim votën”. Por ja që edhe kandidatët ashtu si Berisha, po trajtohen si “non-grata” në krahun e Foltores. Ndërkohë nuk kanë munguar deklaratat në fb si nga Basha ashtu edhe nga Berisha se “ne jemi partia, ju jeni të rremë”. Situata absurde e cila ka kapur prej 6 muajsh Partinë Demokratike (dy pjesët e saj të pandashme) ka gjasa të ndikojë shumë në zgjedhjet e 6 Marsit, dhe ti japë fitoren e padiskutueshme Partisë Socialiste. Ajo parti, po konsiderohet si “parti e rreme”, dhe e tillë do të jetë edhe për shumë vite. Askush nuk lëshon “pe”.
Madje as Basha, i cili dikur shprehej ndryshe ndaj atij, që sot e akuzon për 21 Janarin, apo dhe afera korruptive. Duket sikur Basha kërkon ti japë një tjetër fizionomi dhe një tjetër kuptim partisë, por nuk ka gjasa të gjejë shtegun e duhur për të dalë në “rrugën e madhe”. Gjithë meseleja e Berishës është në faktin se, “partia i takon atij”, dhe nuk ka bashist që e ndalon. E ndërsa Foltorja ka nxjerrë kandidatët e saj, dhe ka nisur konsultimet me disa parti të vogla për ti patur si aleate gjatë kësaj fushate, Lulzim Basha ka vendosur të hyjë i vetëm “trim në luftë”. Ai nuk po kursen as “trekëndëshin e Bermudës”, as edhe aleatët e dikurshëm. Parashikimet e dertanishme janë se “Partia Demokratike e Bashës nuk ka shanse të mëdha në këto zgjedhje”. Beteja e “kandidatëve të rremë”, do të jetë kauza e betejës elektorale mes Bashës dhe Berishës, duke dëmtuar imazhin e opozitës, dhe duke i dhënë fitoren e sigurtë Partisë Socialiste.
Duke ndjekur me kujdes luftën deklarative mes tyre, nuk ka si të mos mendosh, sa mjerane dhe e pashpresë është politika dhe vijueshmëria e opozitës aktuale. Një ish-kryetar që ka vendosur të sakrifikojë për interesin e tij gjithë historinë e një partie, me vlerë të madhe në skenën politike shqiptare, dhe një kryetar “axhami”, që nuk di, dhe nuk mëson të zhbllokojë situatën në të cilën e katandisi partinë që drejton. Tablloja të kujton përrallën me “ujkun dhe kopenë e tij” që pret jashtë, ti hapet një derë.Këtë Basha nuk po e kupton, pasi deri sot është marrë me blindimin e selisë, si dikur Enveri fortifikonte brezin kufitar duke menduar se “armiku nuk ka ç’më bën tani”.
Naiviteti dhe mungesa e formimit, janë tiparet e shumicës së politikanëve në Shqipëri, të cilët më shumë se të bërit karrierë, mendojnë për vila, pallate, konto bankare, dhe një shpurë besnikësh për ti përdorur në rast rreziku. Ata janë të rremë, aq sa është e rreme partia e tyre, fushatat dhe premtimet e tyre. Kjo në fakt ka qenë, dhe është opozita e sotme. Qari i PS…
Parti e leshit te Marikes…u be tani
PërgjigjuVaru teneqene… une do thoja varibolet.
Përgjigju