Partia e Topit, 10 deputetë:
S'votojmë presidentin politik

17 Prill 2012, 14:39| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Pritet që Partia e re e Topit të shpallet deri në fund të prillit. Pikërisht në javën e fundit të këtij muaji, kjo parti do të startojë me kryetar Gazmend Oketën dhe drejtues kryesor Aleksandër Biberaj, deri në momentin kur të zhvillohet Kongresi në shtator për zgjedhur forumet drejtuese, strukturat drejtuese dhe kryetarin e ri të partisë që do të jetë kreu aktual i shtetit Bamir Topi. Bëhet e ditur se në datën 28 prill kjo parti e re e spektrit të djathtë, do ndërmarrë aktin e themelimit, për t'u regjistruar zyrtarisht më pas në gjykatë e për të filluar dhe diskutimin e programit e të statutit me qytetarët, në mënyrë që në kongresin e parë zgjedhor të shtatorit të arrijë të fiksojë një program dhe statut të ngjashëm me atë të partive perëndimore dhe krejt ndryshe nga praktika e partive politike shqiptare. Por kongresi i shtatorit që do fiksojë dhe forumet e strukturat e reja që do të udhëheqin partinë në sfidën më të afërt elektorale, pritet të bëhet prezent dhe me ngjarje të forta në kampin e djathtë. Burimet brenda grupit organizator të partisë së re të Topit bëjnë me dije se janë 10 deputetë të PD që do shkëputen nga partia e Berishës për t'iu bashkangjitur partisë së re. Emrat e përfolur si më të mundshmit për të kaluar në partinë e re të Topit janë deputetët e PD-së, Lefter Maliqi, Mehmet Xheka, Sherefedin Shehu, Gazmend Oketa, Ylli Lama, Ndue Paluca, Lajla Pernaska, Kreshnik Çipi, Leonard Demi. Janë më pak të diskutueshëm deputetët Rajmond Hoxha, Selami Xhepa dhe Mark Marku. Pra mund të themi se këta deputetë janë më të përfolurit për të kaluar në partinë e re të Presidentit aktual, pavarësisht se burimet brenda grupit organizator të partisë së Topit janë shumë të rezervuar për të përmendur emra dhe konfirmuar ata. Të pyetur për arësyen se përse kaq vonë bëhet kjo shkëputje, ndërkohë që partia e re pritet të startojë në ditët e fundit të prillit, burimet brenda grupit organizator sqarojnë se "një gjë e tillë bëhet për të shmangur të gjitha përplasjet e momentit mes këtyre deputetëve dhe lidershipit të PD. Për më tepër që pikërisht në shtator ata do të jenë në lidershipin e partisë së re dhe më saktë në kryesinë e kësaj partie, por dhe në strukturat drejtuese të saj. Pasi do të kalojnë direkt në votimin pas impaktit që do të japin në largimin e tyre nga grupi parlamentar i PD me fillimin e sesionit të ri parlamentar në fillim të shtatorit". Ndërkohë që daljen kundër PD do ta japin që në votimin e Presidentit të ri, pas largimit të Topit nga poltroni i kreut të shtetit, pikërisht në korrik të këtij viti kur të startojë gara presidenciale. Duke qënë e sigurtë që votimi për kreun e ri të shtetit sipas Kushtetutës do të jetë i fshehtë dhe me kuti, dhe aspak me elektronikë siç ndodhi me anëtarin e ri të KLD, Elis Cefa, këta 10 deputetë nuk do ta hedhin votën për asnjë kandidat të PD. Në këtë mënyrë duke zbritur 10 deputetët që mund të largohen, minus dhe Oketën e larguar kohë më parë, PD zbret në 58 deputetë, ku votat e PDIU as që bëjnë punë. Ndërkohë që vota e katër deputetëve të LSI është shumë e lëkundur, çka një kandidim i mundshëm i Fatos Nanos apo ndonjë kandidati tjetër të preferuar të LSI, përfshirë dhe ndryshimin e konjukturave politike, mund të sjellin dhe mosrealizimin e votave për Berishën për zgjedhjen e Presidentit. Por dhe me gjithë votat e LSI, madje dhe të ish-deputetit socialist Kastriot Islami, PD mund të shkojë maksimumi 65 deputetë, një numër aspak i mjaftueshëm për të hyrë në garë për të zgjedhur kreun e shtetit sipas dëshirës së tyre. Nga ana tjetër burimet brenda grupit drejtues të partisë së Topit saktësojnë se as për PS dhe aleatët e saj nuk e japin votën. Pra për asnjë kandidat potencial dhe të njëanshëm të PS dhe aleatëve të saj, partia e re e Topit nuk është e gatshme për të votuar, duke garantuar se votojnë vetëm një kandidat të ardhur me konsensus dhe që të plotësojë kriteret që ata mendojnë se duhet të plotësojë një President i Republikës që ka në dorë drejtësisë dhe prokurorinë shqiptare, si dhe ka në dorë ruajtjen e balancave të pushteteve dhe të vetë shtetit të brishtë shqiptar. Nga ana tjetër burimet brenda kësaj partie kanë bërë me dije se as që kanë ndërmend të paraqesin vetë një kandidat për President, duke qëendruar gjithnjë të barazlarguar nga ideja se partia e tyre krijohet vetëm për pushtet. Grupi nismëtar tha se krijimi i kësaj partie të spektrit politik të djathtë bëhet vetëm sepse idealet e dhjetorit tashmë nuk mëshirohen në PD aktuale, e cila jo vetëm që po rrëshket majtas përmes koalicioneve me LSI, por është kthyer në një parti kazermë dhe që vepron vetëm me urdhër të Berishës.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?