Opinion

Partinë Demokratike e shpëton Ai që guxon të hapë kutinë e Pandorës

28 Maj 2021, 15:54| Përditesimi: 28 Maj 2021, 15:55

  • Share

Gara për kreun e PD numëron ditët mbrapsht. Lulzim Basha vazhdon takimet në bazë duke përsëritur sloganet e përdorura gjatë fushatës elektorale. Duket se ora e tij ka ndaluar para 25 Majit 2021. Platforma e tij është: mundja e Edi Ramës dhe dokumentimi i asaj që Ai e quan “Masakra Elektorale e 25 Majit”. Kandidatët e tjerë pothuajse bëjnë sehir sjelljen e Lulzim Bashës dhe ende nuk kanë dalë në fushë betejë. Në konferencat e shtypit, “arma” e përdorur prej tyre deri tani, dëgjon deklarime të vakëta si Lulzim Basha nuk e çon PD në fitore, Lulzim Basha është humbës i përsëritur etj,,, por të gjithë bashkohen në dy pika. Së pari se 25 Maji është një Masakër elektorale dhe së dyti që të hapin kutinë e Pandorës, kutinë memorie të PD dhe Sali Berishës.

E para tregon shterpësinë e mendimit politik të garuesve dhe e dyta frikën që Ata kanë për t’iu futur seriozisht reformimit të PD. Reformimi i PD nuk vjen përmes dosjeve mbi atë masakër elektorale, që Ata pretendojnë. Reformimi vjen prej hapjes të Kutinë së Pandorës dhe përballja me çfarë vjell ajo! Nëse për Pandorën hapja e kutisë erdhi prej kureshtjes femërore për PD hapja e kutisë është domosdoshmëri jetike-historike. Prej kësaj “kutie”, që është memoria historike e PD, do të dalin të këqijat e bashkë me to edhe shpresa e kthesës së madhe; gjë që anëtarësia dhe simpatizantët e sajë e presin me ankth prej vitesh. Por asnjë prej kandidatëve garues nuk e ka marrë guximin për ta hapur kutinë. Më shumë se sa frikësohen prej çfarë ajo ka brenda, kandidatët frikësohen t'i afrohen asaj sepse ajo ruhet nga Babai, i cili ka gëlltitur këdo prej fëmijëve që i është afruar asaj kutie.

Përse Babai ka shpallur paprekshmërinë e kutisë memorie? Në errësirën e saj është ndryrë moria e mëkateve të Babait. Nga hapja e sajë do të shpërthejë një stuhi balte përzier me gjak e qelb, që jo vetëm do të zhburrërojë Babain por do t'i ndoti të gjithë dhe duhen njerëz kurajozë për t'u pastruar prej sajë.  Babai e ruan kutinë të mos hapet që t'i kursehet zhburrërimi.

Kandidatët/bijtë nuk e hapin se iu mungon kuraja e përballimit më ato çfarë janë ndryrë brenda sajë dhe i friken zemërimit të Babait prej zhburrërimit!.. Dhe rruga e mesme është gjetur: “Froni mund të “fitohet” por pa e hapur kutinë memorie!”. Kjo fitore do të jetë një rrëzim i radhës i PD drejt humbëtirës, prej nga ku nuk do të ketë më dalje në dritë. Ringjallja e PD ka nevojë për një konflikt të formatit mitologjik Djali kundër Babait dhe jo për betime mbi besnikërinë deri në vdekje ndaj Babait. Vetëm një konflikt pa kompromise ku në fund të mbetet “gjallë” vetëm një fitues, me shpresë të jetë i Biri. Babai duhet të tërhiqet i mundur me turp. Harxhet për çfarë do të dalin prej kutisë memorie duhet ti paguajë Ai dhe vetëm Ai.

Që i Biri të çojë mbretërinë në kopshtin e parajsës duhet që, më së pakti, babain ta mbyllë në kutinë e mëkateve. Kështu fillon të bëhet historia e suksesit. A ka njeri të tillë ne PD?! Këta që garojnë nuk janë të formatit që mund ta bëjnë historinë e suksesit, të paktën me sa kemi parë e dëgjuar deri sot. Koha që ka mbetur deri ditën e votimit po rrjedh me shpejtësi, duket e pamjaftueshme por mund edhe të sjellë ndonjë surprizë. Kush guxon të hap Kutinë e Pandorës, vetëm Ai mund ta reformojë PD. Të shpresojmë, jo vetëm për të mirën e PD.

Komento

Komente

  • Mali: 29/05/2021 09:15

    drejt e thua Pajtim, por PD nuk ka nga ata burra apo gra qe flisni Juev shkrim.PD eshte gllaberuar nga sullumet e Saliut me te tjere dhe kete radhe do vazhdoje ne kete rruge. Pa ikur saliu nuk sherohet PD, bile as Shqiperia. Mali

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?