Kryetari i PD Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Opinion

Partisë Demokratike i pikon çatia dhe fajin e kërkon te komshia

22 Gusht 2021, 15:41| Përditesimi: 22 Gusht 2021, 15:43

  • Share

Filozofia që ka funksionuar te liderët e Partisë Demokratike gjatë këtyre 30 viteve të ashtuquajtura demokraci, ka qenë dhe mbetet: se humbjet, dështimet dhe largimet e figurave kryesore nga kjo forcë politike i ka parë jo si përgjegjësi, dobësi dhe papjekuri të vetat, por si një padrejtësi që i bëhet nga Partia Socialiste. Kjo frymë pacifiste u pa dhe në kongresin e fundit të Partisë Demokratike, që analiza e humbjes së radhës në zgjedhjet e 25 prillit (që është e pesta humbje e zgjedhjeve qëndrore e vendore ), arsyet, shkaqet, faktorët objektivë dhe subjektivë iu faturuan Ramës dhe Partisë Socialiste.

Raporti që mbajti Kryetari i Partisë Demokratike zoti Basha, fillonte e mbaronte me akuza e aktakuza ndaj Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Rama. Ky Kuvend ngjante me një komedi donkishoteske, ku shtëpia kishte marrë zjarr dhe po shembej dhe të zotët e shtëpisë s’kishin përgjegjësi, përgjegjësinë kryesore e kishte komshia, që bënte sehir si digjej shtëpia dhe nuk ndërhynte të shuante zjarrin. Kjo të kujton një thënie filozofike të popullit, për një grua që i vdiq burri dhe u tha komshinjve: “Qani pak burrin tim, se unë do shkoj në dasmë”. Në çdo analizë të sendeve dhe fenomeneve, shikohen parësisht faktorët objektivë që janë determinantë, që ka të bëjë me analizën e subjektit dhe mandej kalohet në faktorët subjektivë që janë ndikime të jashtme, anësore, jo përcaktuese. Një forcë serioze politike, dështimet në veprimtarinë e saj i gjen brenda vetes, si mungesë vizioni, për pa aftësi politike, organizative dhe lidershipi, që nuk ka ditur të krijojë besim, jo vetëm në opinionin shoqëror, por dhe te militantët e vet. Kryetari Basha, për të justifikuar humbjet e njëpasnjëshme që ka “korrur” gjatë drejtimit të Partisë Demokratike, përsërit ritualin e njohur se zgjedhjet i humbëm se na i vodhi Rama. Kjo armë që ka zgjedhur për t’u mbrojtur para elektoratit të vet, është e shkrepur bosh se nuk e justifikon, përkundrazi e diskrediton në tërë opinionin e gjerë shoqëror.

Për t’u shëndoshur një trup i sëmurë, preventivisht duhet përcaktuar diagnoza dhe pastaj të fillojë kurimi me preparatet e nevojshme. Filozofia që ndjek Partia Demokratike, duke ia faturuar dështimet Partisë Socialiste, e bën atë të pakorrigjueshme dhe e lë përjetësisht në opozitë. Basha, ka mbetur peng i botëkuptimit dhe filozofisë berishiane dhe nuk ka kurajon dhe iniciativën të shkëputet nga rruga destruktive e babait të tij politik. Këtë qëndrim po e manifeston dhe në thirrjen që i bën DASH, për t’u shkëputur prej Sali Berishës dhe për ta penalizuar pasi është shpallur “non grata” familjarisht, jo vetëm për korrupsion e krim, por si minues i demokracisë në këto 30 vite të pluralizmit politik. Saliu edhe në këtë akuzë të DASH, që i bëhet për mëkatet e tija të panumërta, ka zgjedhur për mbrojtje që përgjegjësinë ta gjejë, si dhe Basha për humbjen, te Rama dhe Soros. Dueti Berisha – Basha ende se kanë kuptuar se loja me këtë komedi për të shpëtuar, ka mbaruar. Berisha si gjithmonë nga i akuzuar kthehet në akuzues duke filluar me DASH, ambasadoren Yuri Kim, që i deformon dhe emrin e deri te Rama, që se ka problem ta penalizojë me libër shtëpie.

Ky qyqar, zuzar, që ka vjedhur e ka vrarë, nuk fiton dot, duke akuzuar e sharë. Berisha ka lajthitur, rrëshqitur, është roitur dhe se kupton se s’ka më për t’u ngritur edhe pse është duke u përpëlitur.

“Nuk ka gjë më vdekjeprurëse se apoteoza e lajthitjeve tona, të këtij qëndrimi adhurues ndaj utopive iluzore”, shkruan Bekon.

Berisha ka lajthitur dhe fluturon në iluzione duke ngritur e zbritur sa te Rama, sa te Sorosi. Por ky iluzion, kot e mundon, se nuk e shpëton! Shqiptarët duhet të thonë 100 herë faleminderit Amerikës, që po na shpëton nga ky rrezik, nga një përbindësh mitik, që nuk e shkul dot e sëmura jonë politikë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?