Partitë politike kanë pësuar një transformim të rëndësishëm si pasojë e evolucionit dhe transformimit të shoqërisë. Në disa raste, partitë janë pasojë e ndryshimeve shoqërore e në disa raste të tjera janë udhëheqëse edhe të ndryshimeve sociale. Për të ndodhur kjo e fundit varet nga niveli kulturor, intelektual dhe nga cilësia e lidershipit që kanë partitë. Zakonisht një lider i mirë është ai që është një hap para shoqërisë dhe e udhëheq atë me sukses në sfida të reja apo në modele të reja. Një lider i mirë nuk është ai që ndjek traditën, por është ai që në respekt me traditën, ka kurajën dhe vizionin për të bërë një hap para duke bërë të mundur ndryshime të rëndësishme në shërbim të anëtarëve të saj, por edhe me impakt të rëndësishëm në shoqëri, përtej bindjeve politike!
Intensifikimi i madh i informacionit, mundësitë e mëdha për ta marr atë, koha e shkurtër dhe shkurtimi i distancave, ka bërë që qytetarët të kenë një nivel më të lartë informimi dhe po ashtu të kenë edhe një identiteti më të fortë kundrejt aksioneve politike. Nëse, më parë qytetari i bindej thuajse pa kushte politikës, sot, për shkak të informimit të madh, shpesh herë është totalisht indiferent ndaj saj. Ndryshimet më të mëdha në vendet demokratike nuk kanë ndodhur me protesta partiake, por me kauza të ngritur nga shoqëria, nga ajo që jemi mësuar ta quajmë shoqëri civile. Partitë Politike, në fakt nuk janë organizata apo sindikata që merren me organizim protestash, apo për të ngritur kauza. Një parti, politike, si një bashkim vullnetarësh i ka të gjitha mundësitë që kauzat e shoqërisë t’i ngrejë në nivele të ndryshme përfaqësimi dhe t’i bëj kauza institucionale. Tempulli më i rëndësishëm, ku kauzat kthehen në nisma ligjore, ose nëse janë të gabuara që rrëzohen nga nismat ligjore, në një Republikë Parlamentare, sidomos është pikërisht Parlamenti, aty ku diskutohet dhe mbrohet demokracia e po ashtu përfaqësohet interesi publik dhe i votueseve, edhe i atyre votuesve, që të zhgënjyer nuk preferojnë të votojnë, por abstenojnë dhe protestojnë me pasivizimin e votës së tyre.
Qeveritë, në vendet demokratike nuk rrëzohen nga protesta politike të ndërmarra nga Opozita! Mekanizmat qe ka një parti politike e nëse është opozitare është mosbesimi në parlament, ose betejat e tjera parlamentare! Një Qeveri rrëzohet nga lëvizja popullore që kanë kauza të mirëfillta qytetare dhe me të drejtën e tyre të protestës e izolojnë dhe e paralizojnë aksionin qeveritar derisa sa ajo të dorëhiqet dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme!
Partia Demokratike, ajo që duan ta vetëquajnë veten e tyre sot, duhet të jetë mbi të gjitha një model për të cilët qytetarët duhet të rrisin shpresën dhe besimin tek ajo! Kush është modeli i PD sot? Kush është misioni i PD sot? Kush janë propozimet e PD që vendi të bëjnë një hap cilësie në qeverisjen e vendit? Kush janë burimet njerëzore të PD sot që do të jenë nesër në postet e ministrave dhe të zëvendës ministrave? Pse, duhet të besojnë demokratët dhe shqiptarët tek PD-ja e sotme? Çfarë ju ofron ajo sot Shqiptare, kur në organigramën e saj, ka pikërisht ata që demokratët i kanë provuar në të kaluarën në postet më të rëndësishme ministror? Kush është politika e PD aktuale në lidhje me Diasporën, por më fqinjët dhe po ashtu me procesin e integrimit europian!
Ka disa momente, kur protestat jo vetëm nuk e zgjidhin problemin, por janë në momentin dhe në vendin e gabuar! Shqipëria, tashmë është e përfshirë në procese mjaft të rëndësishme si është procesi i integrimit, çështjet e sigurisë Rajonale e po ashtu çështje që lidhen me NATO, zgjerimin e saj dhe raforcimin e saj! Shqipëria, po ashtu si asnjëherë më parë ka një rol të rëndësishëm në OKB, si vend anëtar i radhës i Këshillit të Sigurimit! Gjithashtu, për shkak të luftës në Ukrainë, Ballkani dhe po vetë Shqipëria, kanë nevojë ,më shumë se kurrë për stabilitet politik, sepse ata që mund të vijnë, kanë shumë gjasa që të vijnë me rrethana të reja e po ashtu me aleanca apo me suporte të reja! Sot, nuk është aspak e udhës, që asnjë vend i Ballkanit Perëndimor, të përfshihet në destabilitet të brendshëm politike, duke përjashtuar këtu ato raste kur zgjedhjet periodike dhe duhet të respektohen sipas rendeve kushtetuese!
PD, ka një problem të madh me vetën, ekzistencën e saj dhe në këto kushte nuk ka as moralin, por as forcën që të ngrejë qytetarët në kauza politike apo sociale, që ndoshta nuk ka as mundësinë e as identitetin politik për t’i ngritur e mbrojtur! PD, duhet të mbaroj procesin me vetën, të kthjellojë ujërat me veten e pastaj të kërkojë edhe mbështetjen e demokratëve apo edhe të shqiptarëve, përtej bindjeve politike! Ka ikur koha kur partitë politike në Shqipëri ishin organizata protestash e demonstratash që finalitet të vetëm kishin marrjen e pushtetit apo mbajtjen e tij!