Partizani do vijojë të ruajë kreun e Superligës edhe pas javës së 10 pavarësisht barazimit 2-2 në supersfidën me Vllazninë. Pikën që e mban në vendin e parë, kundrejt Egnatias, të kuqtë e siguruan në minutat shtesë, duke mërzitur publikun shkodran.
“Ishte hera e parë që luaj në Shkodër dhe kishte një atmosferë të mrekullueshme ndaj një kundërshtari cilësor. Besoj se luajtëm pak më mirë, por nuk dua të tregohem arrogant pasi edhe Vllaznia u përpoq,”-u shpreh Aleksandr Veselinovic, trajner i Partizanit.
“Të dhemb gjithmonë kur pëson këto gola në fund të ndeshjes. Ishte një episod i thjeshtë që na ndëshkoi edhe pse nuk e nisëm mirë lojën, ishim nervoz, por më pas treguam moral dhe bëmë një paraqitje pozitive ndaj një kundërshtari cilësor,”-tha Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë.
Egnatia kampione në fuqi mban vendin e 2 me 16 pikë, teksa këtë fundjavë barazoi 1-1 kundër Dinamos së Ilir Dajës, që gjithashtu ka 16 pikë, por mban vendin e 3. Tirana humbi 2 pikë kundër Laçit, pasi kurbinasit barazuan në limite 1-1, ndërsa me të njëjtin rezultat u mbyll edhe dueli tjetër Elbasani-Skënderbeu. Befasia më e madhe ishte disfata 4-0 që Bylisi i vendit të fundit i shkaktoi Teutës. Një rezulat që ballshiotët i ngjiti në vendin e 9.
Java e 11 e Superligës nis të mërkurën në orën 14:00 me sfidën Laçi-Egnatia, ndërsa vijon në orën 17:00 me dy përballje të tjera, Tirana-Vllaznia dhe Skënderbeu-Partizani. Të enjten janë në program Dinamo-Bylis dhe Teuta-Elbasani.