Pas Këshillit Bashkiak të Korçës edhe ai i Kurbinit ka miratuar rezoltutën kundër hartës së re gjyqësore që do t’i përcillet Kryeministrisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku kërkohet që gjykata të qëndrojë në Kurbin. Harta e re gjyqësore parashikon dhe shkrirjen e Gjykatës së Kurbinit.
“Është shumë domethënëse që kjo rezolutë t’iu drejtohet të gjitha institucioneve qendrore KLGJI, kryeministrisë dhe ministrisë së drejtësisë që kanë në dorë miratimin dhe ndryshimin e hartës së re gjyqësore. Në këtë hartë është propozuar shkrirja e gjykatës së Kurbinit”, shprehet Elton Laska, Kryetar i Dhomës së Avokatisë Lezhë.
Kreu i Dhomës së Avokatisë në Lezhë Elton Laska thotë se Gjykata e Kurbinit i plotëson të gjitha kriteret për tu mos u mbyllur, ndërsa paralajmëron protesta nëse kërkesat e tyre nuk do të merren në konsideratë.
“Me anë të kësaj rezolute Këshilli Bashkiak i Kurbinit i pozicionohet qartësisht kërkesës për qëndrimin e kësaj gjykate në Kurbin duke patur parasysh që Gjykata e Kurbinit ka ambiente të mjaftueshme dhe vetë KLHJ me anë të raportit që ka publikuar e ka cilësuar si një godinë të mjaftueshme me hapësira të nevojshme për zhvillimin dhe procesin që i nevojitet gjykatës. Kjo do të thotë që janë të gjitha mundësitë që kjo gjykatë të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen . Reagimet e qytetarëve janë shumë të ashpra në momentin që kuptojnë që një gjykatë rrethi me të gjitha mundësitë që mund të jetë funksionale, të hiqet dhe të bashkohet me një hapësirë tjetër. Nëse nuk do ketë reflektim nga hartuesit e kësaj harte gjyqësore përshkallëzimi i protestave dhe i ankesave të qytetarëve do të jetë shumë i madh”, vijon Laska.
Referuar hartës së re gjyqësore të propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, Kurbini do të bashkohet me Lezhën, por sipas grupeve të interesit diçka e tillë rrit kostot dhe sjell mungesë shërbimi për qytetarët.
Kujtojmë që më 3 shkurt edhe Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi rezulotën kundër propozimit për hartën e re gjyqësore. Propozimi për hartën e re gjyqësore ka hasur edhe në kundërshtinë e avokatëve, që e konsiderojnë atë si skemë të pamundur për të funksionuar. Ata kanë argumentuar se në këtë mënyrë do të largoheshin gjykatat nga qytetarët dhe se i mohon atyre shërbimin gjyqësor.
Harta e re gjyqësore parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ. Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej. Pra, nga propozimi konkludohet që nga 36 gjykata që janë aktualisht të ngelen 16.
Mos i mbyllni gjykatat sepse ku vjedhin gjyqtaret, prokuroret, avokatet, noteret e sekseret.
Përgjigju