Pas përfundimit të samitit të NATO-s, i cili këtë vit u zhvillua në SHBA, kryeministri i Hungarisë u takua në Florida me republikanin Donald Trump, që kandidon për një mandat të dytë presidencial.
Bashkangjitur fotos së tij me Trump, të postuar në rrjetet sociale, Orban shprehet se thelbi i diskutimit ishte rruga drejt paqes në Ukrainë. Kryeministri hungarez shton se ish presidenti Trump është zotuar se do ta zgjidhë këtë çështje.
Për më tepër ky i fundit, falenderoi Orban përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, duke theksuar se paqja duhet të arrihet sa më shpejt pasi shumë njerëz kanë vdekur në luftën në Ukrainë.
Gjatë samitit të NATO-s, kryeministri hungarez u përpoq t’i shmangej vëmendjes duke folur shumë pak edhe për mediat, ndërsa presidenti i Finlandës, Alexander Stubb tha se Orban nuk ka mandat nga aleanca, as nga BE-ja, të zhvillojë negociata me asnjë palë të luftës. Kryeministri hungarez është kritikuar ashpër nga BE për vizitën e tij në Ukrainë dhe Moskë menjëherë sapo vendi i tij mori presidencën e bllokut, aq sa në Parlamentin Europian u propozua që Hungarisë t’i pezullohej e drejta e votës.
Orban, sikurse Trump, ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e NATO-s në ndaj Ukrainës dhe ka refuzuar t’i dërgojë armë Kievit, duke thënë se një gjë e tillë do të përshkallëzonte konfliktin.