Në mesazhin me rastin e Pashkëve, Papa Françesku u bëri thirrje vendeve të shpejtojnë shpërndarjen e vaksinave, veçanërisht për të varfrit e botës, dhe i quajti “skandaloze” konfliktet e armatosura apo shpenzimet ushtarake gjatë pandemisë. Për shkak të koronavirusit, ky ishte viti i dytë radhazi që në ceremonitë papale të Pashkëve kanë marrë pjesë vetëm grupe të vogla në një altar dytësor të Bazilikës së Shën Pjetrit, ndryshe nga më parë kur besimtarët grumbulloheshin me shumicë në katedrale ose në sheshin jashtë.
Pas meshës, Papa Francesku lexoi mesazhin e tij “Urbi et Orbi” ku tradicionalisht flet për problemet e botës. Ai tha se “Pandemia vazhdon të përhapet, ndërsa kriza sociale dhe ekonomike mbetet e rëndë, veçanërisht për të varfrit. E megjithatë, tha ai, dhe kjo është skandaloze, konfliktet e armatosura nuk po marrin fund dhe arsenalet ushtarake po forcohen.”
Sheshi i Shën Pjetrit ishte i zbrazët me përjashtim të disa policëve që zbatonin masat e një bllokimi të rreptë tre-ditor në shkallë vendi. Papa kërkoi që Zoti të ngushëllonte të sëmurët, ata që kanë humbur një të afërm dhe të papunët, duke i nxitur autoritetet që t’u japin ndihmë dinjitoze familjeve në nevojë më të madhe.
Ai lavdëroi punonjësit e mjekësisë, shprehu simpati për të rinjtë që nuk mund të shkonin në shkollë dhe tha se u bënte thirrje të gjithëve për të luftuar pandeminë.