Ekzemplarë për Skënderbeun

Patricia Nugee mbledh 500 ekzemplarë për Skënderbeun, 37 ekspozohen në Muzeun Kombëtar

8 Maj 2018, 20:54| Përditesimi: 8 Maj 2018, 21:20

  • Share

Nëse Skënderbeu do të kishte jetuar më gjatë, e gjithë Evropa sot do të ishte ndryshe. Kjo s’kërkon shumë për ta kuptuar. Emrin e tij e kam ndeshur në enciklopedinë britanike. Që nga ajo kohë fillova të gjurmojë gjithçka shkruhej për të.

Koleksionistja angleze, Patricia Nugee

Kjo zonjë e dashuruar me Shqipërinë dhe historinë e saj, ka sjellë në Muzeun Historik Kombëtar 37 libra të rrallë për Skënderbeun, të shkruar 400-500 vite më parë. Këta antikuarë të mbledhur me kontributin e saj financiar nëpër Europë janë prezantuar nw Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në ekspozitën “Jehona përmes shekujve-Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Librat janë pjesë e koleksionit privat të Patricia Nugee. Ajo njihet për pasionin e madh dhe koleksionin më të pasur, dhe deklaron se: 

Kam rreth 500 ekzemplarë, kushtuar Skënderbeut.

 Koleksionistja angleze, Patricia Nugee

Ekspozitën e ka çelur drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili duke vlerësuar kontributin e madh të Patricia Nugee tha ndër të tjera se:   

Kjo ekspozitë, mbi figurën e Heroit Kombëtar, i cili ka tërhequr vëmendjen e historianëve, por edhe të shkrimtarëve evropianë përgjatë shekujve, çelet në kuadër të “Javës së Europës” dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave të ndryshme historike dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë përqasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi

Sipas drejtorit të këtij institucioni:

Çdo vit, duke filluar nga viti 1986, Dita e Evropës është rast për aktivitete dhe festime që sjellin Evropën më afër qytetarëve të saj.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi

Pjesa e koleksionit të shek. XVI të prezantuar në këtë ekspozitë paraqet 12 libra të botuar në mes viteve 1510 dhe 1597. Nëntë prej tyre janë botime dhe përkthime të veprës së Marin Barletit, priftit katolik nga Shkodra, i cili u largua nga qyteti i tij dhe jetoi në mërgim në Itali pas pushtimit osman. Koleksioni fillon me botimin e vitit 1510 të Barletit, me titull “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, Princit Epirot”.

Librat e këtij koleksioni janë botuar në Romë, Augsberg, Strasburg, Venecia, Frankfurt, Londër, Lisbonë, Madrid etj.

Një botim i rrallë është libri me autor Dhimitër Frangun, i botuar në Venecia më 1584. “Koleksioni i shek. XVII sjell një pasuri të botimeve për heroin tonë kombëtar. Në këtë shekull Skënderbeu shfaqet në disa vepra të këtij koleksioni të rrallë. Mund të përmendim të parën poemë të shkruar për Skënderbeun nga Margherita Sarrochi, e botuar në Romë në vitin 1606 dhe ribotuar në Napoli 100 vjet më vonë; poezitë e Busier-it botuar në Lion, poezitë e fisnikut dhe komandantit ushtarak, Luis de Meneses, viti 1688, botuar në spanjisht dhe portugalisht. Një perlë në koleksionin e znj. Nugee është fjalori i parë shqiptar, një fjalor latinisht-shqip i Frang Bardhit, i botuar në Romë në vitin 1635. Kapitulli i fundit është një koleksion prej 11-faqesh të proverbave shqiptare. Librat e shek. XVIII na çojnë në një udhëtim kulturor në Paris, Amsterdam, Londër, Brescia, Stokolm, etj.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi

Patricia Nugee është shprehur në fjalën e saj se ajo është koleksioniste dhe nuk është studiuese, por pasioni që ajo ka për librat e ka mësuar t’u zbulojë vlerat.

Jeta dhe veprat e Skënderbeut u kthyen në frymëzim, jo vetëm për historianët që studiojnë atë, por edhe për dramaturgët dhe gjinitë e tjera të artit. Skënderbeu i William Havard (1733) ose “Dashuria dhe Liria” (1747) e Thomas Whincop, u publikuan në Londër në këtë shekull.

Koleksionistja angleze, Patricia Nugee

Ekspozita plotësohet me riprodhimet e Përkrenares dhe Shpatës së Skënderbeut. Kësaj ekspozite i janë bashkuar edhe statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe beteja të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Një nga anët më interesante të figurës së Skënderbeut është jetëgjatësia e famës dhe lavdisë së tij në periudhat më të rëndësishme të lëvizjeve përparimtare të popujve të Europës dhe të popullit shqiptar. Në historiografinë botërore ndër shekuj janë shkruar shumë monografi të veçanta për Skënderbeun, disa prej të cilave janë botuar si libra më vete. Duke pasur parasysh përmasat europiane të kësaj figure, këto libra japin një panoramë të admirueshme të botimeve për Skënderbeun.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi

Për Patricia Nugee nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri. Disa vite më parë koleksionistja britanike ka prezantuar në Qendrën Kulturore të Ushtrisë disa nga vepra për Skënderbeun. Nisur nga pasioni i saj mbi historinë Patricia prej vitesh nisi një hulumtim mbi jetën e Skënderbeut, për të blerë më pas çdo libër që fliste mbi jetën e tij.

Sot ky koleksion i cili vlen shumë, është një pasuri që e sjell jetën e heroit tonë përmes rrëfimeve tepër interesante. Nugee njihet botërisht dhe është vlerësuar edhe me mirënjohje nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për pasionin e rrallë dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar Heroit tonë Kombëtar.  

Patricia Nugee mbledh 500 ekzemplarë për Skënderbeun, 37 ekspozohen në Muzeun Kombëtar
//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?