Personalisht do isha kurioz për treguesit rreth meje të patronazhistit nga database e PS-së për të parë se si perceptohem te ata teksa vij nga një traditë e djathtë familjare prej persekucionit komunist, nga një mpleksje e dikurshme me PD-në si aktivist i saj, por njëherësh si një njeri që PD-në e konsideron si një shëmti politike. Vetëm kaq. Sepse tej kësaj nuk ka asgjë për të më shqetësuar.
Paralelizmi me të ashtuquajturit hafije sigurimi apo fuks të dikurshëm në komunizëm, është një idiotizëm me brirë. Sepse në finale, perceptimi i një forcë politike ndaj meje, mbi qëndrimin apo shijen politike, ka zero efekt në jetën time. Si ta dija e si mos ta dija se ndodhem në një database force politike, në jetën time nuk ndryshon asgjë, aq më pak për keq.
Kur dikur një koleg gazetar do më thoshte se atje ku ai bashkëpunonte, te shërbimet sekrete (SHISH), e kishin pyetur për mua, nuk u shqetësova aspak. E kishin pyetur pasi kishin hasur emrin tim në celularin e një personi të marrë në pyetje në një shtet x fqinj. Dhe nuk u shqetësova aspak për më të thjeshtën arsye, se jeta ime është larg, shumë larg çdo implikimi, i çdolloj natyre qoftë.
Megjithatë, vetëm në këtë rast ka diçka për t’u shqetësuar. Ndërsa te database i PS-së është gjëja më e natyrshme që mund të ndodhë, gjithnjë nëse marrim në konsideratë metodat klasike të një force politike për të zotëruar dijeni mbi kahjen e votës në elektorat.
Nëse dhe PD e ka një database të tillë, nuk ka asgjë për t’u befesuar. Nëse nuk do e ketë, po. Tregon se është shumë pas në metodika politike në raport me elektoratin.
Vetëm në një rast do ishte shqetësues ky database, nëse aty t’i përshkruhesh me cilësime që nuk i ke. Kjo po, do ishte cenim dinjiteti. Por aty nuk thuhet se ç’person je, pusht, legen, apo e kundërta, xhanan njeri; aty thuhet se ti mund të jesh në këtë apo pozicionim politik.
Kjo mund të ndodhë haptazi, mund të ndodhë dhe në mënyrë okulte, si në rastin e database-it. Por kjo diferencë mes të dukshmes dhe të padukshmes, pra publikes me okulten, nuk përbën ndonjë thelb negativ për t’u trembur apo frikësuar nga ndonjë diçka, që më pak për t’u ndjerë i fyer. Sepse nuk është përgjuar as jeta private, por thjesht, nga lënda publike e çdo personi, gjurma e tij që ai lë në vatrat e zakonshme të aktivitetit të përditshëm, është përcaktuar një perceptim mbi shijen politike.
Ç’a problemi ka këtu? Ç’a problemi ka nëse unë perceptohem si demokrat e socialisti vjen të më mbushë mendjen të mbajë kahjen e tij? Bujrum! Edhe e kundërta po të njëjtën përgjigje meriton. Madje jam i prirur t’i respektoj të dyja palët në këtë inisiativë, për të respektuar në finale misionin e tyre politik. Janë në të drejtën e tyre të jenë patronazhistë, siç jam unë në të drejtën time t’u bindem ose jo.
Kaq është e gjitha. Çdo gjë tjetër është sajimi i mitit të radhës nga sfera politike, që zakonisht vjen ose nga njerëz kompleksivë, ose nga delirantë, ose nga të paditur që i kanë dhe dy të parat në tipar.