Politikë

PD akuza qeverisë: Po tenton të kapë AMA-n, Rama po kthehet si Lukashenko me gazetarët

25 Maj 2021, 15:22| Përditesimi: 27 Maj 2021, 15:12

  • Share

Albana Vokshi ka denoncuar qeverinë se po tenton të kapw edhe Autoritetin e Medias Audiovizive, një institucion i pavarur sipas ligjit. Ndërkohë që ky institucion po zgjedh anëtarët e saj të rinj, për PD është hera e parë në 30 vjet  anëtarët e AMA-s i përkasin të gjithë partisë në pushtet duke e cilësuar atë si 'transmetuesin e partisë shtet'.

Vokshi shprehet se vendimi për të emëruar anëtarët e AMA-s nga parlamenti aktual është i paligjshëm dhe në kundërshtim me rekomandimet të Komisionit të Venecias.

Në përfundim Vokshi shprehet se nuk do të jetë e largët dita kur Edi Rama të kthehet si Llukashenko i Bjellorusisë, të burgosë gazetarët që nuk i kontrollon dot.

"Vjedhja e mandateve përmes blerjes së votave në të gjithë Shqipërinë po sjell kapjen totale të shtetit në çdo qelizë të saj nga aleanca kriminale Rama-Doshi.

Autoriteti i Medias Audiovizive, një institucion i pavarur sipas ligjit, po merret nën kontroll nga qeveria.

Në ditët e fundit të mandatit, parlamenti ilegjitim, ka vendosur të hapë të ashtuquajturën garë për emërimin e militantëve partiakë, që nuk i shërbejnë interesit publik, por vetëm pushtetit të vjedhur të Edi Ramës. Garë nuk do të ketë edhe për faktin se në shkelje të ligjit, nga 30 ditë për paraqitjen e aplikimeve, lihen në dispozicion vetëm 20 ditë për aplikimet për kryetar , duke treguar qartë për një vendim të paracaktuar.

Vendimi për të emëruar anëtarët e AMA-s nga një parlament monopartiak është i paligjshëm, shkon kundër rekomandimit të Komisionit të Venecias dhe përkeqëson imazhin e Shqipërisë si një vend jodemokratik, ku liria e medias është në rrezik.

Disa muaj më parë, Komisioni i Venecias rekomandoi në mënyrë të qartë se “përbërja e Autoritetit të Mbikqyrjes Audiovizive apo Komisionit të Ankesave duhet të sigurojë autonominë e tyre nga kontrolli i qeverisë dhe i korporatave.

Ky rekomandim po shkelet hapur nga qeveria antidemokratike e Edi Ramës, duke shkuar drejt kapjes totale të të gjithë institucioneve që kanë lidhje me median për t’I mbyllur gojën kujtdo që denoncon vjedhjen e zgjedhjeve, vjedhjen me tenderat, bashkëpunimin e qeverisë së Edi Ramës me krimin e organizuar.  

Autoritetin e Komunikimeve Elektronike, AKEP, Rama e kontrollon plotësisht përmes emërimit të shefit të protokollit. 

Këshillin Drejtues të Televizionit Publik Shqiptar, Rama e kontrollon plotësisht prej disa javësh. Me një vendim antiligjor, për herë të parë në 30 vjet, anëtarët e tij i përkasin të gjithë partisë në pushtet. Transmetuesi publik, që paguhet nga taksat e shqiptarëve, është shndërruar në transmetuesin e partisë shtet dhe njësoj si në diktaturë, do t’i shërbejë një njeriu të vetëm. 

Partia Demokratike kërkon të ndalojë menjëherë ky skenar antidemokratik i parlamentit monopartiak.  Kontrolli i plotë nga qeveria i institucioneve të medias që duhet të jenë të pavarura, dëmton lirinë e medias, ushtron presion politik mbi televizionet dhe shantazhon gazetarët.   

Nëse skenari i kontrollit nga qeveria të Autoritetit Mbikqyrës Audioviziv dhe të çdo institucioni të pavarur që lidhet me mediat, avancon, nuk do të jetë e largët dita kur Edi Rama, njësoj si Llukashenko i Bjellorusisë, të burgosë gazetarët që nuk i kontrollon dot", tha Vokshi.

AMA aktualisht ka mbetur me 3 anëtarë nga 7 që ka gjithsej bordi i saj, që do të thotë se nuk e ka korumin e nevojshëm për të marrë vendime. Kjo ka bërë që Kuvendi të shpallë vakancat e saj për plotësimin e tyre.

Konkretisht një vend ka mbetur bosh që nga shkarkimi i Zylyftar Bregut në 2019 nga Kuvendi me kërkesë të  kryetarit të AMA-s, Gentian Sala. Ndërsa dy anëtarëve të tjerë të AMA-s Gledis Gjipalit dhe Piro Mishës u ka mbaruar mandati. Ndërsa vakanca e 4-t është krijuar pas dorëheqjes së Agron Gjekmarkajt si anëtar bordi i AMA-s, i cili u zgjodh deputet i PD në qarkun e Lezhës. Aktualisht në bordin e AMA-s janë Gentian Sala Kryetar, Sami Nezaj zv. kryetar, Gledis Gjipali anëtar dhe Suela Musta anëtare.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?