Ka një debat të heshtur e publik që ve në diskutim mundësinë e vazhdimësisë dhe të ekzistencës së PD! Në këtë debat ka dy linja mendimi sipas meje:
1. Linja e parë konfliktuale dhe me interesa politike që duan një PD të eliminuar nga skena politike. Në këtë linjë sigurisht ka pjesë pushteti që kërkon të ketë sa me pak kundërshtarë politikë ose mundësisht të mos ketë fare dhe po ashtu një ish pjesë e PD, që për shumë arsye PD e shikojnë si një pengesë serioze për të realizuar qëllimet e tyre të lidhura ngushtë me karrierën politike e me mundësinë për të qenë alternativë e vetme si mundësi për të marr pushtetin ose sa më shumë pushtet;
2. Linja e dytë është ajo pesimiste që duke parë situatën aktuale të PD e duke mos besuar më tek vetja, duan t'i bien shkurt se PD nuk mund të ekzistojë më dhe për pasojë do të shuhet!
Të dyja linjat kanë një gjë të përbashkët: analizat apo qëndrimet e tyre i lidhin ekskluzivisht me çështje numrash e nuk merren me analizë politike apo doktrinare. Në fakt numrat nuk janë argument, sepse ato janë relativë duke u rritur e zvogëluar sipas kontekstit politik por edhe sipas zhvillimeve të brendshme që përfshihen subjektet politik duke u përshtatur ose përmisuar sipas kerkesave të qytetarëve.
Pyetja naive është: a do të vazhdojë të ekzistojë PD? Kjo lidhet edhe me analizën e ideologjisë në ndarjen klasike "djathtas" e "majtas". Pavarësisht se kjo ndarje klasike është zbehur kudo në Perëndim, ajo vazhdon të ekzistojë si dialektik e diskursit politik, por edhe si element diferencues dhe identifikues! Megjithatë, ndarja e ideologjisë duhet të analizohet sipas realiteteve sociale dhe evolucionit politik që ka pësuar një vend, të paktën nga mbarimi i Luftës së Ftohtë e deri më sot!
Mendoj, se Shqipëria për shkak të kaluarës së saj totalitare enveriste, bën pjesë tek ato vende që ndarja ideologjike, jo vetëm duhet të ekzistojë, por duhet të zhvillohet e mbështet fort, sepse kauzat e kësaj ndarje nuk janë tejkaluar.
Shqipëria ka një sërë kauzash të ndarjes ideologjike që nuk kanë marrë përgjigje. Prandaj, idoelogjia zbehet në ato vende që demokracia është e qëndrueshme dhe zhvilluar duke bërë shuarjen e plagëve të ndarjes me historinë e për pasojë ka qetësinë të merret me parimet e përbashkëta të bashkëjetesës!
Ndërsa Shqipëria nuk i ka zgjidhur disa nga këto kauza si:
1. Çështjen e të persekutuarve dhe të perndjekurve dhe rientegrimin e tyre të plotë në shoqëri akoma nuk e ka bërë;
2. Çështjen dhe problemin e pronës private nuk e ka zgjidhur në konceptin e të djathtës si faktin se toka i takon të zotit e vetëm të zotit;
3. Nuk ka zgjidhur as çështjet që kanë të bëjnë me modelin ekonomik që duhet të ketë Shqipëria e duke qenë një ekonomi në trazion e dalë nga ish model krejtësisht shtetëror ka nevojë për kontributin e parimeve të modelit ekonomik të Djathtës!
Për këto arsye, mendoj se Shqipëria, jo vetëm nuk e ka kapërcyer ndarjen ideologjike, por ka nevojë për ekzistencën e saj!
Forcat politike që janë ofertë politike në këto zgjedhje janë tre:
1. "Bashkë fitojmë", e cila po kalon në një forcë politike thuajse populiste duke deklaruar se i intereson pushteti dhe jo ideologjia;
2. Partia socialiste, parti e Majtë
3. PD e cila vazhdon të jetë e vetmja forcë që diskurs politik të sajën ka të djathtën e kjo duket qartë edhe në ofertat e saj politike.
Një vend si Shqipëria nuk mund të as të jetë krejt e Majtë, as populiste e as krejt e Djathtë. Prandaj, misioni i PD si forcë e vetme e djathtë, jo vetëm garanton ekzistencën e saj edhe në të ardhmen, por e obligon atë të reformohet e të modernizohet në këtë drejtim!
Në këtë kontekst e në këtë realitet politik duke mos pasur asnjë alternativë tjetër me serioze e më bindëse se PD për alternativë të të Djathtës e bën këtë të fundit të pazëvendësueshme e po ashtu të patjetërsueshme!
Prandaj, ekzistenca e PD nuk mund të vihet në dyshim se kështu do të vendosej në diskutim edhe pluralizmi i sistemit politik duke e rrezikuar Shqipërinë drejtë një të majte sunduese pa alternativë! Misioni i PD është vetëm një, ringritja, modernizmin dhe hapja e saj si alternativë e vetme e të Djathtës shqiptare.