Ndërsa ngushtohen ditët për gjykatën në dhënien e një vendimi se cila nga dy pjesët e dukshme të ndara do të trashëgojë siglën e logon e PD-së, është shtuar dhe agresiviteti retorik i deklaratave të Rithemelimit. Zoti Berisha noton mirë si gjithnjë për tu bërë lajm, por së fundmi deklaratat e tij e kanë të shtuar një dozë të fortë nervozizmi. Nuk është çështje se ka nisur fushata elektorale për vendoret.
Deri sa të fillojë ky proces së pari e kanë fjalën kandidatët demokratë që do të përballën në primaret që organizon vetë PD. Dhe ata janë shumë herë më të butë në daljet e tyre se vetë Berisha. Kështu pra, kur nuk ka ngut për kolpo temperaturash elektorale, duket se halli është diku tjetër. Berisha gjithmonë ka informacionin e parë se çndodh nëpër gjykata dhe çfarë ere apo suferinë fryn, ndaj sensorët duket se kanë ngritur sinjalet e alarmit përderisa reagimet janë me tone kaq agresive.
Berisha përmendi flamurin, duke u shprehur se “flamurin e PD-së nuk mund ta prekë kush”, porse kjo nuk mund të merret thjesht si një trysni ndaj gjykatës se mos ia jep të drejtën Alibeajt ta tundë. Ajo çka më tepër rëndësi është ai që ka në dorë flamurin, pra Flamurmbajtësi. Ndaj e thënë ndryshe, duke mos ia hequr të drejtën vetes se flamuri nuk mund të jetë në të tjera duar veç të tijat, deklarata e mësipërme mund të përkthehet edhe si “ Flamuri e Flamurëmbajtësi nuk mund të preken”. Pasi ato janë paketë.
Retorika siç është e pritshme është e drejtuar ndaj maxhorancës dhe Ramës pasi kanë kapur gjyqësorin dhe me to duan të mbajnë peng Partinë Demokratike. Vetëm kaq ama nuk do të përbënte risi mediatike. Këto janë fraza të përhershme të Berishës ndaj çdo kundërshtari politik të tij, përfshirë edhe dikur Metën, të cilin sot e ka aleat. Noviteti i Berishës është se në deklaratën e djeshme ai përfshiu në taborrin e shumtë të armiqve të vet të përditshëm edhe ambasadorë e diplomat të huaj në Tiranë. Madje duke guxuar më tej kur përveç korrupsionit politik e monetar të diplomatëve, ka shtuar dhe korrupsionin erotik, si shkak që shqiptarët po braktisin vendin pasi përfaqësuesit e huaj diplomatikë i kanë siguruar mbështetje të pamerituar regjimit të Ramës.
Goxha guxim ky, ku përfshihen të gjithë, armiq të brendshëm e të jashtëm, në një konspiracion për flamurin e një partie politike. Dhe më tej, ndërsa lexonte këtë deklaratë, Berisha shton se “PD angazhohet të punojë fort që shqiptarët të votojnë të lire”, angazhim ky që duket se do të përfshijë dhe normat erotike me të cilat duhet të vetërregullojnë diplomatët. Sidoqoftë, Berisha ka arritur diçka që nuk mund të mohohet. Ka arritur të dominojë skenën politike të opozitës si lojtar kryesor duke i intimiduar të gjithë rivalët brenda të njëjtës familje politike, qoftë dhe ata që i rrezikojnë flamurin në gjykatë. Në këtë lojë nervash e lëvizjesh politike ka arritur të vendosë në rang të dytë edhe aleatin e vetëm të ngushtë që ka, Metën, ndonëse bashkëpunimi i tyre duket si dashuri iriqësh.
Diku e dikur do shpohen rëndshëm e kjo do ti japë fund këtij dueti jo larg në kohë. Që mund të përfundojë shpejt edhe pas protestët nëse Berisha bën ndonjë zullum të pakontrolluar e të dënueshëm nga ndërkombëtarët, dhe deri në fund të zgjedhjeve vendore, kur dikush duhet të paguajë faturën e një humbjeje të paralajmëruar. Gjithësesi do të presim çdo të ndodhë.