Gazment Bardhi

PD duhet nxjerrë nga pusi, jo të zbritet nga plepi

9 Shtator 2023, 17:39| Përditesimi: 9 Shtator 2023, 17:42

  • Share

Këta janë drama jonë. Këta soj e sorollop politikanësh që ne vetë i kemi zgjedhur të na përfaqësojnë. Më të zellshmit në këtë fillim sezoni politiko-mediatik janë një “babale” dhe Gazi (i botës).

Kur dëgjojmë këta tipa, foltore më foltore e banak më banak, shkojmë pas në kohë, më shumë se 30 vjet. Krahasojini vetë nivelin intelektual, etik e moral me disa prej tyre.

Me Gramoz Pashkon, për shembull. Intelektual klasi. Lider. Karizmatik. Poliglot. Kozmopolitan. Truri dhe mendja e programit të parë të Partisë Demokratike. Vizionar për të përcaktuar saktë të ardhmen, aq sa janë profetike ato që i tha ballë për ballë Sali Berishës në Konferencën e Jashtëzakonshme të PD, 31 vjet më parë, apo të gjithë demokratëve në sallë që ishin gati ta linçonin: -po rrëshqisni në diktaturë, do shpërbëni Partinë Demokratike…

Ose po të doni krahasojini me Neritan Cekën.  Po deshët, me Teodor Kekon. Me Aleksandër Meksin krahasoni. Me Genc Rulin. Apo me Arben Imamin. Ose dhe me Arben Demetin, etj, etj. Listë e gjatë.

Partia Demokratike, ashtu siç parashikonte Gramoz Pashko, është e shpërbërë. Partia Demokratike, është e vetmja në botën demokratike që ka edhe “mbiemër”. Të gjitha partitë e kësaj bote kanë vetëm emër. Kjo e jona ka edhe mbiemër.

Kemi aktualisht Partinë Demokratike, me Kryetar Lulzim Basha, që ka mbiemrin “Zyrtare”.

Kemi Partinë Demokratike me kryetar Sali Berisha me tre mbiemra: “Jo zyrtare”, “Foltore” dhe “Rithemelimi”

Kemi grupime të ndryshme individësh politikë që herë janë me njërën e herë me tjetrën parti; nuk janë me njërën po janë me tjetrën; janë edhe me njërën, edhe me tjetrën; nuk janë as me njërën, as me tjetrën, ose “as mish as peshk”…

Lider i kësaj partie duket se është vetshpallur Gazmend Bardhi, që shkurt thirret Gaz. Gazit i është mbushur mendja se do ja bëjë “rrup-sup” edhe vetë Sali Berishës, meqë ky i shkoi në mbledhjen që organizoi ky me dyzet e ca deputetë. Gazi që nuk do bashkëpunonte me “non-grata” e që e quajti kriminel, tani është bërë lider e flet për parime demokratike, euroatlantike përballë non-gratës!

Berisha është në “qiellin e shtatë” me këtë lëvizje të Gazit. Sepse me një gur, vret jo një, po disa zogj si Gazi… Berisha u tregon atyre se nuk keni jetë (politike) pa mua. Se partia jam unë e ju jeni maxhordomët e oborrit. Se jashtë stanit tim, ju jeni thjeshtë disa “keca” që edhe Luli ju tremb me një thupër.

Ja pra, këtë parti e këta njerëz do të komandojë Sali Berisha me partinë e vet, të re të vjetër. Domethënë, hajde gjeje tani se kush është Partia Demokratike e idealeve të Dhjetorit.

Berisha e bëri të veten me Partinë Demokratike…

…Në një fshat të Devollit, thonë se dikur, një njeri kishte mbetur në majë të një plepi. Nuk zbriste dot.

U mblodhën burrat e fshatit e nuk po gjenin zgjidhje. Dikush kërkoi ndihmën e një plaku.

E sollën plakun.

-Më gjeni një litar të gjatë, tha. Lidheni me një gur e hidhjani lart.

E hodhën litarin disa herë gjersa njeriu në majë plepi e kapi.

-Lidhe litarin nëpër trup, i tha plaku njeriut në plep.

-Kapeni litarin ju të tjerët poshtë, tha plaku dhe tërhiqeni fort.

E tërhoqën litarin burrat e fshatit e njeriu ra shakull në tokë.

-Ç’na bëre kështu more? -i thanë plakut.

-Kështu e kemi nxjerrë një njeri nga pusi, në rini, -tha plaku…

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • martini: 10/09/2023 13:35

    s keni pare gje akoma sa per historin e atij plakut ja ke fut kot fare plako

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?