Në pak orët e fundit që na ndajnë me mbledhjen e strukturës së madhe të PD-së, një gjë është e qartë për shumë nga njerëzit që po i drejtohen sistematikisht këtij formacioni politik: Partia e Demokratëve shqiptarëve e ka të vështirë shumë reformimin e saj. Nëse shenja kryesore u dha me mosdorëheqjen e kryetarit të saj të radhazi-humbur Basha, të tjerat vijuan me ngutin e tij dhe të shpurës së vet për të mbledhur strukturat dhe për t’i dhënë edhe një mandat të ri. Do të ishin pak zëra të kthjellët brenda këtij formacioni, që duke parë trendin e saj, prurjet e kryetarit aktual Lulzim Basha dhe rekrutimet e reja që janë shumë pro-kryetar, të kuptosh se PD-ja nuk mund të reformohet. Më kot, mëtuesit për vendin e kryetarit vazhdojnë ta kërkojnë reformimin nga brenda me sofizma. Duket se lodhja me opozitën dhe pamundësia e kuptueshme për të nisur një projekt politik, me ide që i përshkojnë elektoratit nevojat dhe idetë duket më e arsyeshme për këtë insistim.
E vetmja ide që e mbledh e Djathtën sot është rrëzimi i kryeministrit aktual Edi Rama. Dhe, mu bash këtu vijnë e shfaqen të kundërtët. Ata që brenda familjes mundohen të shikojnë më shumë dhe i thonë në formën e Kasandrave moderne gjërat e kohës sonë. Por, tirania e shumicës e mbyt. Të mjaftonte të dëgjoje këto ditë ato që artikulonin njerëz gati periferikë te PD, sa i përket krahasimit të kontributeve me Mark Markun të kuptoje paradoksin. Pakkush u shpreh hapur si Marku ose në gjatësinë e tij të valës mu në Kuvendin e PD-së. Dhe, këtu na vjen në ndihmë Roger Scruton tek libri i tij interesant “Si të jesh konservator”. “Opinioni i shumicës mund të jetë i gabuar; dëshirat e shumicës mund të jenë djallëzore, fuqia e shumicës mund të jetë e rrezikshme. Ka diçka më të rëndësishme se sa shumica, ky është saktësisht personi që nuk bie dakord me të. Ne duhet ta mbrojmë këtë person. Ai është i vetmi që mund të ngrejë pyetjen të cilën askush nga turma nuk dëshiron ta dëgjojë dhe që është pyetja nëse ajo është në anën e drejtë”.
Dhe, këtu fillon sfida që të mbrohet opozita por edhe pakti që njerëzit të cilët e shikojnë të vërtetën, kundërshtojnë me argumente apo siç thuhet në një nga postulatet politike: Të biesh dakord për të mos rënë dakord, të inkurajohen dhe të dëgjohen seriozisht. Dhe, ndodh, në fund ashtu si shkon tek një familja e mirë dhe e matur. Gjithkush, thotë Scruton bie dakord pas rrahjes së mendimeve në një familje të binden me vendimin përfundimtar edhe sikur të mos jenë dakord. Por, kuptohet ky nuk është rasti i PD-së. Në Kuvend, Lulzim Basha ua tregoi të gjithëve në familjen demokrate dhëmbët me sjelljen e tij politikisht korrekte…se nuk i toleronte më këtej e tutje.