Sali Berisha dhe Lulzim Basha

PD e Bashës apo PD e Berishës, kjo është çështja

1 Prill 2018, 22:02| Përditesimi: 1 Prill 2018, 22:03

  • Share

Pavarsisht se Doktori, ka afro 5 vjet që ka deklaruar largimin përfundimtar të tij nga çdo funksion në Partinë Demokratike (por jo nga politika) duket se akoma segmente dhe persona të veçantë brënda asaj partie, po kërkojnë me ngut rikthimin e tij. Kjo jo për faktin se ajo quhet akoma “PD e Berishës” edhe pse Basha ka kohë që është kryetari i saj, por edhe për faktin se në atë parti ka “dy zëra” që flasin, japin ultimatume, japin konkluzione dhe bëjnë thirrje për protesta apo veprime të tjera opozitare. Edhe në rastin e protestave të dhunshme në Kukës, nga PD sërish dolën “dy zëra” dhe ku padyshim, për deklaratën e Doktorit disa media ishin më të interesuara, se për daljen e Lulzimit me “frontin opozitar”.

Ata që papritur po kërkojnë rikthimin e Doktorit në krye të partisë dhe patjetër në krye të opozitës, me pretendimin “për të shpëtuar nga asgjesimi fizik dhe politik PD e katandisur si mos më keq nga Lulzimi” nuk janë të panjohur. Këtë e kanë kërkuar dhe deklaruar ish-PD-istë të mënjanuar, demokratë të qendrës dhe bazës, ish-anëtarë kryesie dhe anëtarë të Kuvendit Kombëtar, këtë po e kërkojnë edhe ata që 22 vjet më parë “Doktori” i përzuri dhunshëm nga ajo parti, duke i etiketuar si “tradhëtarë dhe të shitur”.

Por përse kërkohet me ngut rikthimi i Doktorit, përse shihet si alternativë e vetme rikthimi i tij qoftë edhe i përkohshëm, përse ish-miq dhe ish-armiq të tij duan rikthimin në krye të PD, çfarë po ndodh, ndoshta është lojë e stisur apo diçka tjetër ? E vërteta është se rikthimin e tij, e kundërshtojnë ashpër të rinjtë e Bashës, (të parët janë Grida dhe Ervini) dhe pothuajse gjithë lista e tij “e re” humbësja e zgjedhjeve të 2017. Por kundër rikthimit të tij në krye të PD, më i ashpri është vetë kryetari saj aktual. Eshtë Lulzim Basha, njeriu që erdhi nga jashtë i përgjedhur nga Doktori, për të qenë i hazërtë për të marrë në dorë fatet e PD, ndonëse Luli këtë parti e quan sot pronë, çiflik, dhe seli të tij, bashkë me oborr.

Në gjirin e Partisë Demokratike sot ka dy grupime të mëdha që mbrojnë tezat e tyre antistatutore, dhe seicila prej tyre e quan partinë, njëra “PD e Berishës” dhe tjetra “PD e Bashës”. Realisht asnjë prej tyre, nuk kërkon europianizimin e PD, hapjen e saj, afrimin e elementëve progresistë, por thjesht e kanë hallin tek ndarja hileqare, “PD e Berishës apo e Bashës”. Sot kjo parti po ndahet në përpjestim të zhdrejtë mes dy emrave që e kanë drejtuar dikur, dhe që po e drejtojnë aktualisht sot. Forumet dhe strukturat e kësaj partie, kanë kohë që nuk mblidhen dhe nuk ekzistojnë duke ndalur prej vitesh funksionimin e tyre. Situata më e fundit, e detyroi Lulzim Bashën të vendosë të mbajë Kuvendin Kombëtar të PD, dhe fët e fët, të bëjë atë ditë edhe rizgjedhjen e tij si “kryetar legjitim”, duke dashur përfundimisht ti mbyllë gojën jo vetëm zërave që çirren prej 9 muajsh kundër tij, por edhe ti kujtojë Doktorit që i përmendi nevojën e largimit para zgjedhjeve lokale se “PD tash e tutje është imja”.

Skandali i publikuar javët e fundit, nga një media e njohur ndërkombëtare në fushën e investigimeve, që bënte fjalë për një ujdi lobimi mes Partisë Demokratike dhe një subjekti të huaj, duke zbuluar lidhje të cilat janë përkthyer edhe në mbështetje politike e financiare, në pragun e zgjedhjeve të 2017, ishte dhe mbetet vërtetë një moment delikat për lidershipin e asaj partie.

Qysh para 1 viti, shefi i qeverisë e ka shprehur shqetësimin se “segmente të politikës ruse po ndërhyjnë në Ballkan dhe kanë synime dashakeqëse edhe ndaj vendit tonë”. Por nga PD erdhën sinjale që thonin se “kjo është një përpjekje e Ramës për të tërhequr vëmendjen nga hallet dhe problemet e shqiptarëve”. Partia Demokratike, natyrisht ka qenë në dijeni të investigimit nga media serioze amerikane, pasi vetëm një ditë para se të bëhej i njohur skandali financiar, një deputet (karaifil) i Lulit, i drejtoi një pyetje ministres së Mbrojtjes, lidhur me njërin nga pjesëtarët e delegacionit shqiptar në Marrëveshjen e re për Detin, duke aluduar se “ai ka bashkëpunuar me shërbimin rus”.

Por duket se loja e Lulzimit ishte e dobët, dhe gjithçka doli bllof, duke e turpëruar edhe më shumë deputetin e skandaleve. Kjo padyshim që tronditi edhe më shumë themelet e shkrifta të zotit Basha në PD, dhe i dha shtytje zërave ndryshe të jenë më të vendosur në kërkesën e tyre për “rikthimin e Doktorit”. Nuk ka qenë e rastit që në vitet e fundit zoti Basha (ndonjëherë edhe Doktori) dhe deputetët e listës tij i janë vërsulur ambasadave perëndimore aq hapur, sa që as nuk mund të mendohej se mund të ndodhte një ditë që PD të dilte kundër SHBA dhe BE.

Lufta klanore brënda Partisë Demokratike, lufta e paprinciptë mes atyre që mbetën pa u flakur nga partia dhe të rinjve gojështhurur, nisi të reflektohet dhe të shtrihet edhe në sfondin tjetër, duke mos kursyer as ambasadorët e SHBA dhe BE. Të yshtur nga zoti Basha, emrat e (pa) njohur të PD, nuk lanë sulm pa bërë ndaj institucioneve perëndimore, që nga Brukseli e deri në Uashington, kryesisht edhe ndaj Vlahutin e Donald Lu, duke i përbaltur, dhe madje kërcënuar ata. Gjuha e përdorur nga PD ndaj Vlahutin e Donald Lu, ka qenë e denjë vetëm për rrugaçë politikë, për të treguar se “PD është e Bashës”.

Kjo situatë shpesh vlerësohet si skandaloze nga ata që mbrojnë tezën e rikthimit të Doktorit në PD, duke harruar se edhe ata e kanë bërë dikur të njëjtën gjë. Doktori, në pamjen e parë duket se nuk “ka nge të merret me Lulin dhe Kuvendin e PD”, por realisht ai po mendon seriozisht për fatet e partisë që ngriti vetë nga themelet, dhe e drejtoi për afro çerek shekulli. Askush nuk e beson se, zoti Berisha do ta lërë PD në rënie të lirë, ashtu siç është duke ikur kjo parti prej 5 vitesh veçanarisht prej 9 muajsh, dhe patjetër e ka një skenar që pret ta zbatojë ndoshta ditën e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar. Të paktën do ti tregojë Lulit se “PD është dhe do të mbetet e Berishës”.

Komento

Komente

  • Gege Kosova: 03/04/2018 14:53

    Si buka,si kulaqi,nese duan ta kene nje subjket,qe vertet Shqiperise dhe shqiptareve ju duhet,si buka e si ajri per jete e shtet.Atehere asnjerin nga keta qe vetem nderrojne qime-individ, e jo vese-program.Merrne seriozisht e me perkushtim, pa inate e pa meni, Merrne me pikenisje Shqiperia e shqiptarevet.Duane pa interes shtetin shqiptar,duane pa interes popullin shqiptar.Deri tash ky subjekt dhe drejtuesit e veprimtaret e tij, nuk ka deshmuar program te tille.

    Përgjigju
  • analisti zvicer.: 03/04/2018 07:51

    e,ku eshte priblemi se pd e bashes apo berishes,kure te dyte jane i vetmi solucion shpetimi per shqiperin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?