Partitë e opozitës, kryesisht LSI-së, kanë bërë gati një sërë kërkesash për në KQZ ku kërkojnë rinumërimin e votave në disa qarqe.
Prej ditës së djeshme kur ka mbaruar numërimi dhe tabulimi i votave për subjektet politike, në çdo KZAZ, e tavolinë numërimi, ka nisur listimi dhe administrimi i votave për kandidatët në çdo qendër votimi.
Ky proces, nuk është gjë tjetër veçse një rinumërim faktik i çdo flete votimi të hedhur më 25 prill. Më shumë se një numërim për kandidatët, është edhe një double check i rezultatit të përgjithshëm të votave të partive politike.
Në tryezat e numërimit po kalon një e nga një çdo fletë votimi, çka është një përsëritje procedure: numërim, kalim në kamera dhe tabulim rezultati në procesverbal.
Numëruesit e PS-së, PD-së dhe LSI-së janë në çdo tryezë, ndërkohë që auditor ndodhen vëzhgues e deputetë që janë prezent në të gjithë procesin.
Madje në çdo KZAZ mund të vijojë i njëjti proces i monitorimit me kamera e lidhje live, siç ka ndodhur me procesin e numërimit të rezultateve të partive politike.
Dhënia e rezultatit në fund, mund të verifikohet që ka qenë apo jo ai që është vendosur në procesverbalet e firmosura nga anëtarët e çdo KZAZ-je.
Gjithashtu, KQZ mund të dërgojë inspektorë, por edhe anëtarë që të shikojnë rezultatin siç ndodhi në procesin e numërimit të partive.
Numërimi live mund të vijojë, njësoj siç do të bëhet në tavolinën e KQZ-së që është kërkuar nga opozita. Mjafton që tu kërkojnë mediave të drejtojnë objektivin që të bëhet sa më transparent…/ Gazeta Tema