PD kërkon zgjedhje të reja, me drejtësi të vjetër

20 Shkurt 2020, 20:52| Përditesimi: 20 Shkurt 2020, 20:54

  • Share

Debati i parë i fortë që ka lindur në Komisionin e Reformës Zgjedhore ka të bëjë me gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor dhe raportin e tyre me Vettingun.

Partia Demokratike ka propozuar që mosmarrëveshjet zgjedhore të gjykohen nga gjyqtarë të cilët nuk e kanë kaluar filtrin e vettingut, dhe atyre t’u ofrohet një amnisti 4 vjeçare nga ky proces.

Potencialisht, një gjyqtar i korruptuar mund të zgjidhet në Kolegjin Zgjedhor dhe të qëndrojë aty për 4 vjet pa u ngacmuar nga askush.

Shumica ka kundërshtuar këtë propozim, duke e cilësuar si në kundërshtim me frymën e Reformës në Drejtësi dhe vetë përcaktimet kushtetuese. Në vlerësimin e mazhorancës, reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut nuk janë të negociueshme.

Kushtetuta përcakton se çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë duhet t’i nënshtrohet procesit të vettingut për të garantuar pavarësinë e tij dhe pastertinë e figurës.

Përse ka lindur ky debat?

Bazuar në ligjin aktual zgjedhor në fuqi, Kolegji Zgjedhor si autoriteti më i lartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur për 4 vjet me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Këta gjyqtarë i përkasin trupës së Gjykatës së Apelit. Ligji u krijon mbrojtje të veçantë, pasi gjatë ushtrimit të këtij mandati nuk mund të bëhen objekt i penalizimeve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe as nga Ministria e Drejtësisë.

Deri më tani, raportet e OSBE-ODIHR dhe as palët politike, nuk e kanë atakuar si problematik çështjen e Kolegjit Zgjedhor, por e kanë njohur dhe pranuar atë sipas kësaj formule.

Procesi i reformës në drejtësi ka krijuar nevojën e një Kolegji të ri Zgjedhor për dy arsye juridike. E para, sepse një pjesë e gjyqtarëve aktual të Kolegjit janë përjashtuar pasi nuk kanë kaluar me sukses procesin e vettingut dhe pjesa tjetër duhet t’i nënshtrohet këtij procesi si një detyrim kushtetues.

E dyta, sepse në kuadër të Reformës në Drejtësi, tashmë nuk ekziston Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si institucioni që bën zgjedhjen e gjyqtarëve të Kolegjit.

Gjithashtu, në raportin e fundit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e qershorit 2019 thuhet se “ndonëse gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë objekt procedimesh disiplinore përgjatë gjithë mandatit të funksionimit të Kolegjit, ata janë objekt i ‘procesit të vetting-ut’ që është në vazhdim e sipër, i cili mund të ndikojë në sigurinë e vazhdimësisë së tyre si gjyqtarë dhe, rrjedhimisht, mund të ndikojë në pavarësinë e tyre”.

Thënë më qartë, ODIHR mendon se një gjyqtar i cili është në pritje të procesit kushtetues të vettingut, mund të jetë potencialisht i ndikueshëm në vendimmarrjen e tij.

Deri këtu, të gjitha palët kanë dakordësinë për të adresuar si ngërçet e krijuara nga zbatimi i Reformës në Drejtësi, ashtu edhe shqetësimin e shprehur në raportin e ODIHR-it.

Pika e thellë e ndarjes ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si shihet zgjidhja e problematikave.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim propozojnë shkrirjen e Kolegjit Zgjedhor dhe ngritjen e një trupe tjetër gjyqësore, e cila do të përbëhet nga 15 gjyqtarë.

PD dhe opozita propozojnë që këta gjyqtarë që do të zgjidhen në Kolegjin Zgjedhor, t’i nënshtrohen moratoriumit 4 vjeçar, në raport me vettingun. Pra, thënë më qartë, gjyqtarët që nuk i janë nënshtruar vettingut, konkurrojnë për t’u bërë pjesë e kësaj strukture dhe që nga zgjedhja deri në përfundim të mandatit, ata të jenë të përjashtuar nga procesi i vettingut.

Praktikisht, me këtë propozim Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialistë për Integrim refuzojnë reformën në drejtësi, procesin e vettingut dhe të gjithë produktet e deritanishme të reformës.

Siç dihet publikisht, procesi i vettingut ka qenë “vija e kuqe” e Reformës në Drejtësi dhe është mbështetur fuqimisht nga i gjithë faktori ndërkombëtar, si në deklarimet publike, ashtu edhe në monitorimin e gjithë këtij procesi në mënyrë rigoroze.

Zgjidhja që ofron Partia Socialiste në tryezën politike, përfaqësuar nga Damian Gjiknuri, është që të sanksionohet se anëtarë të Kolegjit Zgjedhor do të jenë vetëm ata, të cilët e kanë përfunduar procesin e vettingut me sukses.

Në këtë formë adresohet dhe shqetësimi i paraqitur në raportin e ODIHR-it, sepse gjyqtarët e Kolegjit do ta kenë të përfunduar procesin e vettingut dhe nuk do të jenë në pritje të tij. Kjo shmang çdo lloj ndikimi të mundshëm në kryerjen e detyrës.

Duke qenë se numri i gjyqtarëve të Apelit që e kanë kaluar me sukses vettingun aktualisht është i vogël, Partia Socialiste ka shprehur dakordësinë që shporta e kandidatëve të zgjerohet, duke përfshirë të gjithë gjyqtarët që kanë kaluar vettingun me sukses, pavarësisht nëse ata janë të Gjykatës së Apelit apo Gjykatës së Shkallës së Parë.

Në këtë formë, numri i kandidaturave do të jetë i bollshëm, që përzgjedhja me short e tyre të jetë optimale për një trupë të përgatitur.

Partia Demokratike kërkon rritjen e numrit të gjyqtarëve të Kolegjit nga 8 në 15, ndërsa Partia Socialiste shprehet se ky numër nuk është e nevojshme të rritet, por edhe mund të reduktohet nga 8 në 5, sepse numri i çështjeve që gjykojnë nuk është i lartë, për ta bërë të papërballueshme ushtrimin e detyrës.

Thënë përmbledhtazi: Partia Demokratike kërkon që gjyqtarët e Kolegjit të mos kenë kaluar vettingun, ndërsa Partia Socialiste insiston se gjyqtarët e Kolegjit duhet medoemos të kenë kaluar vettingun.

Kjo tregon që në fakt problemi i PD-LSI nuk është reforma zgjedhore dhe zgjedhjet e reja, por anulimi i reformës në drejtësi dhe mbrojtja e e gjyqtarëve të korruptuar, të cilët i shikojnë si shpresë politike.

Është nevoja për të shkuar në zgjedhjet e reja me drejtësinë e vjetër. Vetëm ajo i qetëson dhe u jep shpresë, aq sa duket se këta kërkojnë zgjedhje më shumë si një shans për drejtësinë e vjetër, se sa për ndonjë program të ri që pretendojnë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?